Futbollistët profesionistë pas përfundimit të karrierës kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion, ankth dhe vështirësi në funksionet njohëse, krahasuar me personat që nuk kanë luajtur sporte kontakti.
Ky është përfundimi i një studimi të ri të prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit (AAIC) 2026.
Studimi, i udhëhequr nga studiues të Imperial College London, përfshiu 142 ish-futbollistë profesionistë të moshës 30 deri në 60 vjeç, prej të cilëve 126 burra dhe 16 gra që kishin luajtur në dy ligat më të larta të futbollit në Mbretërinë e Bashkuar.
Rezultatet e tyre u krahasuan me 56 persona të shëndetshëm të së njëjtës grupmoshë, të cilët nuk kishin histori të sporteve të kontaktit, lëndimeve në kokë apo sëmundjeve neurologjike.
Sipas gjetjeve, 31 për qind e ish-futbollistëve kishin simptoma që përmbushnin kriteret për depresion klinik, krahasuar me vetëm 9 për qind të grupit kontrollues.
Po ashtu, 42 për qind e ish-lojtarëve shfaqnin simptoma të ankthit, ndërsa kjo përqindje ishte 25 për qind te personat që nuk kishin luajtur futboll profesional.
Autorja kryesore e studimit, Caleigh Grace Lynch, tha se edhe pse testet standarde të memories dhe të menduarit nuk treguan dallime të qarta mes dy grupeve, vetë ish-futbollistët raportuan më shumë vështirësi në jetën e përditshme.
“Megjithëse nuk pamë dallime të qarta mes ish-lojtarëve dhe personave të tjerë në testet standarde njohëse, vumë re dallime të rëndësishme në simptomat e raportuara, si ankthi dhe depresioni, si edhe në imazherinë e trurit,” tha Lynch.
Sipas saj, rezultatet sugjerojnë se ndryshimet në shëndetin e trurit mund të jenë të matshme tek ish-futbollistët profesionistë që në moshën e mesme, shumë vite para se të shfaqen sëmundje si demenca.
Studimi zbuloi gjithashtu se ish-lojtarët raportuan më shumë vështirësi në planifikim, përqendrim, zgjidhjen e problemeve dhe menaxhimin e aktiviteteve të përditshme.
Ndërkohë, rezonanca magnetike (MRI) tregoi ndryshime në strukturën e trurit te një pjesë e ish-futbollistëve, përfshirë edhe zvogëlim të vëllimit të trurit krahasuar me grupin kontrollues.
Megjithatë, studiuesit theksuan se këto gjetje nuk provojnë ende se ndryshimet janë shkaktuar nga traumat e përsëritura në kokë dhe se nevojiten studime afatgjata për të konfirmuar këtë lidhje.
Maria C. Carrillo, drejtoreshë shkencore e Shoqatës së Alzheimerit, tha se studime të tilla mund të ndihmojnë sportistët, mjekët dhe organizatat sportive të kuptojnë më mirë rreziqet e mundshme dhe të ndërmarrin masa për ta bërë futbollin më të sigurt.
Sipas studiuesve, futbollistët gjatë karrierës ekspozohen vazhdimisht ndaj goditjeve në kokë, si nga goditja e topit me kokë, ashtu edhe nga përplasjet me lojtarët e tjerë ose me tokën.
Ata shtuan se ndjekja e ish-futbollistëve për një periudhë më të gjatë do të ndihmojë në kuptimin më të mirë të ndikimit që goditjet e përsëritura në kokë mund të kenë në shëndetin e trurit në të ardhmen.


