90 persona janë paraqitur me simptoma të njëjta në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit, ndërsa dyshimet e para janë se bëhet fjalë për helmim nga ushqimi në dy lokacione të ndryshme.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Shneta drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka-Hasani.
Kuka-Hasani tha se rastet e para të dyshuara për helmim janë paraqitur pasditen e 13 korrikut, ndërsa më pas është vërejtur një rritje e numrit të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore.
“Lidhur me pyetjet e parashtruara, ju njoftojmë se rastet e para të dyshuara për helmim janë paraqitur në QKMF rreth orës 16:00, më 13 korrik 2026. Pas paraqitjes së rasteve të para, është vërejtur një fluks i shtuar i pacientëve me simptoma të ngjashme,” tha ajo.
Sipas saj, deri më tani në QKMF janë evidentuar gjithsej 90 raste.
“Deri më sot, në institucionin tonë shëndetësor janë evidentuar 90 raste me simptoma të njëjta. Nga këto, 3 pacientë janë referuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për vlerësim të mëtejshëm, ndërsa pas trajtimit janë liruar në shtëpi po atë natë,” deklaroi Kuka-Hasani.
Ajo bëri të ditur se pacientët janë paraqitur kryesisht me të vjella, diarre dhe kokëdhimbje, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore ka qenë kryesisht stabile.
“Pacientët janë paraqitur kryesisht me të vjella, diarre dhe kokëdhimbje. Gjendja shëndetësore e shumicës së pacientëve ka qenë stabile dhe nuk janë evidentuar raste me pasoja të rënda,” u shpreh ajo.
Sa i përket shkakut të dyshuar të rasteve, drejtoresha e Shëndetësisë tha se dyshimet janë të përqendruara te ushqimi i konsumuar në dy lokacione të ndryshme, ndërsa institucionet kompetente janë duke kryer hetimet.
“Sa i përket shkakut të dyshuar të helmimit, janë nga ushqimi në dy lokacione të ndryshme, ndërsa institucionet kompetente janë duke zhvilluar hetimet dhe analizat përkatëse për përcaktimin e shkaktarit,” tha ajo.
Sipas Kuka-Hasanit, QKMF-ja, në koordinim me Komunën e Hanit të Elezit dhe institucionet përgjegjëse, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës.
“QKMF, në koordinim me institucionet përgjegjëse dhe Komunën e Hanit të Elezit, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës, duke ofruar trajtim të menjëhershëm për pacientët, monitorim të vazhdueshëm të rasteve, koordinim me nivelin sekondar dhe terciar të kujdesit shëndetësor, si dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për identifikimin e shkakut dhe mbrojtjen e shëndetit publik.”/Gazeta Shneta/



