Pesë pacientë nga Komuna e Hanit të Elezit janë pranuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas dyshimeve për helmim nga ushqimi. Në kuadër të kësaj situate, deri më tani në Klinikën Infektive janë hospitalizuar 31 pacientë, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar 11 raste pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis.
Sipas njoftimit të QKUK-së, gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, në Klinikën Infektive kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 30 persona me simptoma të ngjashme, ndërsa një pjesë e tyre janë pranuar për trajtim spitalor, përcjell Gazeta Shneta.
“Në kuadër të këtyre rasteve, gjatë kësaj periudhe treditore janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme,” ka bërë të ditur Klinika Infektive.
QKUK ka njoftuar se në total janë hospitalizuar 31 pacientë, ndërsa pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis, i cili shkakton infeksion të zorrëve dhe lidhet me konsumimin e ushqimeve të kontaminuara.
Sipas QKUK-së, të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është duke shkuar drejt përmirësimit.
“Ekipi shëndetësor konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit,” thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.
Sipas deklaratave të pacientëve nga Hani i Elezit, dyshohet se numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion dhe që mund të jenë prekur është më i madh.
Ndërkohë, ekipet mjekësore po vazhdojnë ekzaminimet dhe monitorimin e gjendjes së tyre, ndërsa institucionet përgjegjëse po punojnë për identifikimin e burimit të saktë të infeksionit./Gazeta Shneta/



