Kompania Sach Pizza ka njoftuar se ka pranuar rezultatet zyrtare laboratorike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), sipas të cilave në mostrat ushqimore të analizuara nuk është identifikuar prania e baktereve patogjene.
Sipas njoftimit të kompanisë, analizat e kryera nga IKShPK nuk kanë evidentuar praninë e baktereve si Salmonella, Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus në mostrat ushqimore të marra nga Sach Pizza. Po ashtu, rezultatet laboratorike tregojnë se edhe mostrat e marra nga sipërfaqet e punës, pajisjet dhe duart e stafit kanë rezultuar pa prani të baktereve patogjene, transmeton Gazeta Shneta.
Sach Pizza thekson se, në këtë fazë të hetimit, nuk është konfirmuar ndonjë lidhje ndërmjet mostrave ushqimore të analizuara në këtë subjekt dhe rezultateve laboratorike të pacientëve.
Sipas njoftimit, hetimi epidemiologjik është ende në zhvillim, ndërsa kompania shprehet se do të respektojë çdo përfundim zyrtar të institucioneve përgjegjëse.



