Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak ka realizuar mijëra vizita dhe shërbime për pacientët të cilët, për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mund të marrin kujdes në institucionet shëndetësore.
Shefja e këtij shërbimi, Dr. Sahadete Kelmendi, ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë trajtuar 1 mijë e 481 pacientë, me gjithsej 8 mijë e 679 vizita dhe 42 mijë e 618 shërbime të ofruara në shtëpi, shkruan Gazeta Shneta
Sipas Kelmendit, ky shërbim është i dedikuar për pacientët të cilët kanë vështirësi ose pamundësi për të lëvizur dhe për të marrë kujdes në qendrat e mjekësisë familjare.
“Është shërbim shumë i rëndësishëm për pacientët dhe bëhet pa asnjë kosto. Kategoritë e pacientëve që ne i ofrojmë shërbime janë pacientët mbi 65 vjeç, por edhe pacientët më të rinj që kanë probleme me sëmundje të rënda, paraliza klinike, aksidente, pacientët me kancere. Parimi bazë i funksionimit tonë është paaftësia e pacientit për lëvizje”, ka deklaruar Kelmendi.
Ajo ka thënë se shpeshherë ekipet në terren përballen me kërkesa që nuk i përkasin këtij shërbimi, pasi disa pacientë kërkojnë vizita në shtëpi edhe kur gjendja e tyre nuk e kërkon një gjë të tillë.
“Shpeshherë keqpërdoret. Ne e bëjmë pranimin e vizitave përmes numrave kontaktues që janë në ueb-faqen e komunës, QKMF-së dhe rrjeteve sociale. Pacienti thotë jam i sëmurë, kam probleme, por kur shkojmë është një moshë më e re ose ka ndonjë problem shumë të vogël, ndonjë gjendje virale”, ka thënë Kelmendi.
Sipas saj, qytetarët duhet ta kenë të qartë se Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak nuk është shërbim urgjent.
“Sfida është se të gjithë e duan për ngut. Ne nuk jemi urgjencë, nuk ofrojmë shërbime urgjente të shpejta me minuta. Nëse ka ndonjë problem akut, atëherë është urgjenca”, ka deklaruar ajo.
Kelmendi ka bërë të ditur se pacientët me sëmundje të sistemit respirator janë ndër grupet më të shpeshta që marrin shërbime në shtëpi, veçanërisht ata që janë të varur nga oksigjeni.
“Pacientët që marrin më së shumti shërbime janë ata me sëmundje të sistemit respirator, pacientët të cilët janë të varur prej oksigjenit. Pastaj janë pacientët me sëmundje të sistemit kardiovaskular, pacientët me diabet, paraliza, ata që kanë pësuar gjakderdhje në tru”, theksoi Kelmendi.
Sipas saj, në vitet e fundit është rritur edhe numri i pacientëve me sëmundje malinje që kanë nevojë për trajtim dhe përkujdesje në shtëpi.
“Kur kemi bërë një hulumtim në vitin 2012, pacientët me sëmundje malinje kanë qenë rreth 4 për qind, ndërsa tash kanë shkuar deri në 9 për qind”, ka deklaruar Kelmendi.
Ajo ka bërë të ditur se në mesin e pacientëve me kancer dominojnë rastet me kancer të mushkërive, kancer të gjirit te gratë dhe raste të tjera të sëmundjeve malinje.
“Ne nuk i diagnostifikojmë këta pacientë, diagnostifikimin e bën shërbimi spitalor, por ne merremi me trajtimin e tyre, duke filluar nga menaxhimi i dhimbjes, që është nevoja më e madhe e këtyre pacientëve, si dhe dhënia e terapive që ua përshkruajnë onkologët”, ka thënë ajo.
Sipas të dhënave të Shërbimit të Mjekimit Shtëpiak, ekipet realizojnë deri në 70 vizita në ditë dhe rreth 300 shërbime ditore. Vetëm gjatë muajit qershor, janë realizuar 1 mijë e 377 vizita dhe 7 mijë e 89 shërbime.
Këto shërbime përfshijnë matjen e tensionit, matjen e oksigjenit në gjak, kontrollin e temperaturës, matjen e glikemisë, këshillimin për terapi, ekzaminime të tjera dhe trajtimin e plagëve.
Sipas Kelmendit, një pjesë e madhe e kohës së ekipeve në terren i kushtohet pacientëve të palëvizshëm me plagë dekubitale.
Shefja e Shërbimit të Mjekimit Shtëpiak ka thënë se zgjerimi i shërbimeve me mjekë të kujdesit paliativ, fizioterapistë dhe psikologë ka ndikuar në përmirësimin e kujdesit për pacientët, por nevojiten më shumë kapacitete profesionale.
“Na duhet të merremi më shumë me trajnime, sidomos për kujdesin paliativ dhe menaxhimin e dhimbjes te këta pacientë. Nuk jemi të trajnuar enkas për kujdes paliativ dhe kemi nevojë për staf të përhershëm dhe të shtohet numri i psikologëve”, shtoi tutje Kelmendi.
Sipas saj, numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes paliativ ndryshon, pasi shumë prej tyre paraqiten në faza të avancuara të sëmundjeve.
“Shpeshherë sëmundja diagnostikohet shumë vonë sepse ne i neglizhojmë simptomat. Kur pacientët vijnë te ne, shumë prej tyre janë në stadin e fundit të sëmundjes”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi ka treguar se ekipet përballen me sfida të ndryshme gjatë punës në terren, duke filluar nga komunikacioni, temperaturat e larta, vështirësitë për gjetjen e adresave, por edhe pritshmëritë e familjarëve.
“Sfida më e madhe është pacienti që nuk është i njoftuar me diagnozën e vet. Ai pret prej teje që ta shërosh, ndërsa gjendja e tij shkon duke u përkeqësuar. Në ato momente humbet besimin te ti, te familja dhe te shteti. Është një ndjenjë shumë e rëndë”, u shpreh Kelemendi.
Ajo ka shtuar se, përveç sfidave me pacientët dhe familjarët, nevojitet edhe zgjerimi i stafit profesional për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje.
Sipas Kelmendit, synimi i këtij shërbimi është vazhdimi i trajnimeve profesionale dhe krijimi i kapaciteteve më të mëdha për pacientët që kanë nevojë për kujdes afatgjatë në shtëpi. /Gazeta Shneta/



