Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak në Prishtinë po përballet me një numër në rritje kërkesash që nuk përmbushin kriteret për trajtim në shtëpi.
Shefja e këtij shërbimi, Dr. Sahadete Kelmendi, thotë se ekipet shpesh dërgohen te persona që mund të trajtohen në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ndërsa pacientët që kanë realisht nevojë presin shërbimin.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Kelmendi tha se Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak është krijuar për pacientët që nuk kanë mundësi të lëvizin për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe se ai ofrohet pa pagesë.
“Është shërbim shumë i rëndësishëm për pacientët dhe bëhet pa asnjë kosto. Kategoria e pacientëve që ne u ofrojmë shërbime janë personat mbi 65 vjeç, por edhe pacientët nën këtë moshë që kanë sëmundje të rënda, paraliza, pasoja të aksidenteve apo sëmundje malinje. Parimi bazë i funksionimit tonë është paaftësia e pacientit për lëvizje”, tha ajo.
Megjithatë, sipas saj, një pjesë e qytetarëve po e përdorin këtë shërbim edhe për probleme të lehta shëndetësore.
“Shpeshherë keqpërdoret. Ne e pranojmë kërkesën përmes numrave kontaktues që janë në ueb-faqen e komunës, të QKMF-së dhe në rrjetet sociale. Pacienti thotë se është i sëmurë dhe ka probleme, por kur shkojmë në terren, është në moshë më të re ose ka një gjendje virale shumë të lehtë”, u shpreh Kelmendi.
Ajo theksoi se qytetarët duhet ta kuptojnë se ky nuk është shërbim emergjent.
“Sfida është se të gjithë e duan shërbimin menjëherë. Ne nuk jemi urgjencë dhe nuk ofrojmë shërbime emergjente brenda pak minutash. Nëse ka ndonjë problem akut, ekziston Shërbimi i Urgjencës. Shenjat e rrezikut pacientët duhet t’i njohin”, tha ajo.
Sipas statistikave, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 ekipet e Mjekimit Shtëpiak kanë realizuar 8.679 vizita dhe kanë kryer 42.618 shërbime për pacientët në shtëpitë e tyre.
Shërbimet përfshijnë matjen e tensionit arterial, oksigjenit dhe glikemisë, dhënien e terapive, trajtimin e plagëve, këshillimin për terapi dhe monitorimin e vazhdueshëm të pacientëve me sëmundje kronike dhe malinje.
Kelmendi u bëri thirrje qytetarëve që këtë shërbim ta kërkojnë vetëm kur plotësojnë kriteret, në mënyrë që ekipet të mund t’u përgjigjen sa më shpejt pacientëve që janë realisht të palëvizshëm dhe kanë nevojë për kujdes në shtëpi. /Gazeta Shneta/



