Është publikuar Vëllimi V, Numri 1 i Revistës së Stomatologëve të Kosovës, botim profesional dhe shkencor i Odës së Stomatologëve të Kosovës, i cili sjell kërkime, artikuj profesionalë dhe raste klinike nga fusha e stomatologjisë.
Oda e Stomatologëve të Kosovës ka njoftuar publikimin e edicionit të ri të revistës së saj, duke e cilësuar atë si një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore dhe zhvillimin e mëtejshëm të praktikës stomatologjike në vend.
Numri i ri përmban punime kërkimore-shkencore, artikuj profesionalë, prezantime të rasteve klinike, si dhe materiale të tjera me interes për profesionistët e fushës së stomatologjisë.
Në njoftimin e publikuar, redaksia e revistës ka falënderuar autorët, recensentët, anëtarët e redaksisë dhe bashkëpunëtorët e tjerë për kontributin në përgatitjen e këtij botimi.
“Revista e Stomatologëve të Kosovës” synon të kontribuojë në avancimin e shkëmbimit të përvojave profesionale dhe në promovimin e punës shkencore të profesionistëve të shëndetit oral.
Revista është në dispozicion në versionin elektronik përmes faqes zyrtare të Odës së Stomatologëve të Kosovës.



