Një 13-vjeçar ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë lënduar pasi u shemb një shatërvan në qytetin Ciudad Rodrigo, në provincën Salamanca të Spanjës, gjatë festimeve për fitoren e kombëtares spanjolle në finalen e Kupës së Botës.
Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi pak pas mesnate në shatërvanin “Glorieta del Árbol Gordo”, ku dhjetëra tifozë ishin ngjitur mbi këtë strukturë për të festuar. Pjesa e sipërme e shatërvanit u shemb nga pesha e turmës, ndërsa një bllok guri goditi 13-vjeçarin, i cili më vonë ndërroi jetë.
Shërbimi i emergjencës 112 në rajonin Castilla y León, në veriperëndim të Spanjës, njoftoi se alarmi u mor në orën 00:33, pas disa thirrjeve që raportuan shembjen e strukturës. Në vendngjarje ndërhynë Policia Lokale, Garda Civile, zjarrfikësit e provincës së Salamancës dhe ekipet e urgjencës mjekësore.
Dy nga të lënduarit u dërguan për trajtim në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo. Njëri prej tyre, 13-vjeçari, nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur gjendjen shëndetësore të të lënduarve të tjerë.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shembjes së shatërvanit, ndërsa për familjen e viktimës është angazhuar edhe ekipi për mbështetje psikologjike në raste fatkeqësish dhe emergjencash.
/Gazeta Shneta/




