Gjendje alarmante në Gostivar. Prej 14 korrikut në Spitalin e Përgjithshëm dhe Shtëpinë e Shëndetit janë regjistruar mbi 3.100 persona me simptoma helmimi, ndërsa vetëm sot janë regjistruar 564 raste të reja. Të gjithë pacientët kanë simptoma të ngjashme, probleme me stomakun, ethe dhe temperaturë.
“Deri tani ka 3.100 kontakte shëndetësore, domethënë kontakte në Shtëpinë e Shëndetit Gostivar dhe Spitalin e Përgjithshëm Gostivar. Gjatë ditës së djeshme, 19 korrik, kemi gjithsej 564 kontakte shëndetësore fillestare, prej të cilave në Spitalin e Përgjithshëm janë 279, ndërsa në Shtëpinë e Shëndetit 275. Kronologjikisht më 14 korrik, në Spitalin e Përgjithshëm kontroll fillestar ka 164, në Shtëpinë e Shëndetit 160, gjithsej 324. Më 15 korrik 255 në Spital, 201 në Shtëpinë e Shëndetit, gjithsej 456, ditën e tretë më 16 korrik kemi 381, më 17 korrik kemi 572 më 18 korrik të shtunën 649 dhe sot kemi 564”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë, raporton RTK.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska thekson se megjithatë numri mund të jetë edhe më i madh, pasi pothuajse nuk ka familje në Gostivar që nuk ka ndonjë familjar me simptoma helmimi, por që nuk janë regjistruar.
“Pothuajse nuk ka familje në Gostivar që nuk ka të paktën një njeri që nuk ka simptoma, por paraqitjet zyrtare janë pak. Çfarëdo do të thotë paraqitje zyrtare, kur dikush prej nesh do të ketë ndonjë simptomë, shkon te mjeku amë, specialisti, infektologu dhe ngjashëm dhe i tregon simptomat e tij. Mjeku që e pranon në sistem e vendos shifrën se si e regjistron, si helmim apo ngjashëm dhe nëse ka dyshim se ka ndonjë helmim. Sistemin e njëjtë apo alarmin e marrim edhe ne. Shumë pak regjistrime kishim në fillim”, tha Marija Andonovska, Drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.
Autoritetet paraprakisht shpallën gjendje të epidemisë në Gostivar, ndërsa theksojnë se do të vazhdojnë hulumtimet dhe analizat. Sipas institucioneve, uji nga ujësjellësi i Gostivarit ndalohet për t’u përdorur rreptësishtë për çfarëdolloj nevoje.




