Kompania zvicerane për prodhimin e ushqimeve organike për fëmijët dhe foshnjat, HiPP, ka dematuar mediat serbe për raportimet se në një produkt të saj është gjetur nivel i ngritur i arsenikut, i cili mund të rrezikojë shëndetin e të vegjëlve.
“Media të ndryshme, veçanërisht në Serbi janë duke raportuar mbi gjoja nivelin e ngritur të arsenikut në produktin e orizit HiPP për fëmijët. Mediat i referohen një artikulli të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, e cila raporton nivel të lartë të arsenikut të përgjithshëm në orizin e HiPP-it”, thuhet në një përgjigje të kësaj kompanie për Gazeta Shneta.
HiPP thotë se mediat e transmetuan këtë informacion në mënyrë çorientuese dhe se kanë shkaktuar shqetësime dhe dilema te prindërit, për çka i siguro se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë rrezik.
“Duam të theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë rrezik për shëndetin e fëmijëve dhe foshnjave. Të gjitha produktet e HiPP, përfshirë edhe orizin e përmendur, janë në përputhje të plotë me standardet e rrepta të BE-së për vlerat e kufizuara të arsenikut, një element që futet natyrshëm në oriz nga toka. Ne përpiqemi që ta reduktojmë ekspozimin e arsenikut inorganik në minimumin më të mundshëm”, thuhet në deklaratë.
HiPP shton para prodhimit të këtij produkti, teston çdo furnizim të orizit për arsenikun dhe se pranohen vetëm ato që përputhen me kërkesat e tyre.
“Të jeni të sigurtë se përbërja e arsenikut është në pajtim të plotë me të gjitha dispozitat ligjore të vendeve të BE-së”.
HiPP e pranon se Dogana e Serbisë ka gjetur nivel më të lartë të arsenikut në këtë produkt, por sipas legjislacionit të këtij shteti.
“Në një mostër të orizit HiPP (artikulli nr. 43980, 20g) i testuar nga autoritetet e Doganës së Serbisë, është gjetur përmbajtje organike dhe inorganike e arsenikut që nuk përputhet me kërkesat e legjislacionit të Serbisë”, thuhet tutje.
Sipas kumtesës, sasia e këtij produkti është shkatërruar dhe nuk është hedhur në treg për konsumatorët. /Gazeta Shneta/