Nuse e vjehrre janë përballur sot në “Ka një mesazh për ty”, por situata ka dalë gati jashtë kontrollit. Vjehrra nuk e lejon Eglën që të takojë të birin, e jo më ta marre atë në shtëpinë e saj.
Nusja, Eglantina u ankua se vjehrra po e edukonte keq dhe me frymë urrejtje Argentin e vogël. Vjehrra vijonte sharjet ndaj Eglës ç’ka acaroi edhe publikun. Zonjat e pranishme tek “E Diela Shqiptare” dolën në mbrojtje të nuses, Eglës dhe po e pyesnin konkretisht nga vendi i publikut zonjën Natasha, se cila ishte arsyeja që ajo nuk ia linte djalin e vogël të ëmës.
Duke e parë kështu situatën, Narasha, e cila edhe vetë ishte ndarë nga bashkëshorti në moshën 27-vjeçe dhe i ka rritur e vetme dy fëmijët e saj, pa praninë dhe dashurinë e të atit, u ngrit në këmbë e u tha zonjave të publikut: “Ana ekonomike e Eglës është zero. Pse të rritet në atë formë Argentini kur babai i ka të gjitha mundësitë ekonomike? Për të ardhmen e Argentinit, është e mira të rrijë me ne. Egla s’ka bukë të hajë në Kuçovë tek baba i saj. Edhe ju i thoni faleminderit Arditit që ju mban këtu dhe ju jep lekë”.
Kjo i ka acaruar tej mase zonjat e publikut, të cilat kanë shpërthyer si kurrë më parë në këtë emision. Ato janë ngritur në këmbë dhe kanë nisur reagimin e tyre ndaj zonjës Natasha. Është dashur ndërhyrja e Arditit për të qetësuar gjendjen e për të mbajtur gratë e ofenduara nën kontroll.