Pacientët kosovarë po detyrohen t’i mbajnë gurët në veshka në pritje për t’u ardhur radha për ndërhyrje në klinikën e Urologjisë në QKUK ose të paguajnë deri në 400 Euro për një seancë në spitalet private
Bujar Vitija
Një nga metodat për thyerjen e gurëve në veshka është përmes aparatit ESWL i cili funksionon nëpërmjet shok-valëve hidraulike. Kjo metodë kryhet edhe në klinikën e Urologjisë në QKUK, mirëpo kapaciteti i saj nuk po kryen punë për numrin e madh pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.
Pacientja B.A. u detyrua ta kryej thyerjen e gurëve në një spital privat, pasi asaj i than se duhet të pres deri në korrik që ta kryej këtë shërbim në QKUK.
“Në QKUK më thanë se duhet të pres 3 muaj për t’i thyer gurët në veshka, por unë nuk kisha mundësi të prisja kaq gjatë për shkak të dhimbjeve që kisha”, deklaron pacientja.
Ajo pagoi 200 euro në një klinikë private për ta kryer një seancë me ESWL pa anestezion.
“Ndoshta më duhet ta kryej sërish nëse nuk janë thyer gurët. Më thanë se ka raste deri në 12 seanca”, është shprehur ajo.
Një seancë me ESWL dhe me anestezion në klinikat private kushton deri në 400 euro.
Në anën tjetër, drejtori i klinikës së Urologjisë, Dr. Rexhep Kasumaj, e ka pohuar listën e gjatë të pritjes së pacientëve.
“Lista e pritjes për rastet që nuk janë më prioritet dhe për rastet që nuk janë urgjente, është nga dy deri ne 3 muaj”, ka deklaruar Kasumaj për Gazeta Shneta.
“Të gjitha rastet urgjente diskutohen ne mbledhjen e mëngjesit, ku mjeku ordinues prezenton të dhënat laboratorike, ekosonografike dhe rentgenologjike. Nëse konstatohet se guri nga veshka ka zbrit në urinpërques (kanali i veshkave) duke e mbyll lumenin e tij dhe duke e rrezikuar funksionin e veshkave, atëherë procedura e ESWL organizohet shumë shpejt, brenda pak ditësh”, është shprehur tutje Kasumaj.
Ai shton se kjo procedurë mund të përsëritet nëse gurët në veshka nuk janë dezintegruar.
“Ndërsa për pacientet kur guri është i lokalizuar në veshka, por prania e tij nuk e pengon rrjedhën e urinës, për pasojë nuk e pengon funksionin e veshkave, atëherë pritjet mund te shkojnë deri ne dy apo tre muaj, sepse objektivisht është e pamundur që te gjitha kërkesat e pacientëve tanë te realizohen për një kohë të shkurtër”, është shprehur Kasumaj.
Sipas statistikave të klinikës, në ditë realizohen deri në pesë seanca me pacientë ndërsa në vit mbi 1308. Drejtori thotë se ky është kapaciteti maksimal me vetëm një aparaturë, por e pranon se është e pamjaftueshme kur dihet se në QKUK drejtohen pacientët nga e gjithë Kosova.
“Është shumë e nevojshme, madje e domosdoshme që te sigurohet edhe një aparaturë tjetër e ESWL-it e cila do të vendosej ne ndonjë qendër tjetër te Kosovës”, është shprehur Kasumaj. /Gazeta Shneta/