Larja e parë e të porsalindurit është një ndër momentet më të bukura dhe emocionuese në jetën e tij. Por mbi të gjitha shenjon jetën e një prindi, sidomos atyre të rinj.
Ata mund të ndjehen të frikësuar se mund të dëmtojnë pa dashje të voglin, por mjaftojnë disa këshilla praktike për t’ia dalë mbanë.
Së pari duhet t’ju kujtojmë që i porsalinduri nuk ka frikë nga uji pasi ka kaluar 9 muaj të jetës së tij, i rrethuar nga lëngu amniotik i placentës së nënës. Prandaj larja është një eksperiencë për të provuar të njëjtën ndjesi.
Mjekët rekomandojnë që larja e të porsalindurit të mos bëhet menjëherë sepse ai rrezikon të marrë infeksion nga kontakti i plagës së kërthizës me ujin e ngrohtë. Në momentin që kjo plagë është mbyllur në mënyrë natyrale, ju mund të lani pa frikë fëmijën tuaj.
Orari i përshtatshëm për të bërë banjon e parë është mbrëmja, sidomos para gjumit. Fillimisht duhet të ngrohni ambientin , temperatura e dhomës nuk duhet të zbresë kurrë nën 20°C.
Kurse temperatura e ujit duhet të jetë diku tek 30-38 °C. Në pamundësi për ta matur me një termometër, mund ta kontrolloni me pjesën e brendshme të bërrylit që është edhe më delikatja e trupit tonë.
Lëkura e të porsalindur është shumë delikate, fibrat e kolagjenit dhe të proteinës së elastinës janë akoma të pazhvilluara. Për këtë arsye duhet treguar shumë kujdes mënyrën e mbajtjes së tij në ujë.
Nëna duhet të vendosë dorën e djathtë poshtë trupit të fëmijës dhe me dorën e majtë rreth shtyllës kurrizi ta lajë atë. Kini kujdes edhe me mbajtjen e kokës. Pastaj duhet të ndryshoni pozicion. Vendosni dorën e majtë poshtë kurrizit dhe me dorën tjetër të lani pjesën e barkut dhe krahëve.
Edhe pse nuk ka një minutazh të caktuar, larja e parë duhet të zgjasë deri në 10 minuta. Këshillohet që në larjen e parë të mos përdoret asnjë shampo apo produkt, por vetëm ujë.
Pas larjes vjen momenti i tharjes. Sigurohuni të përdorni një peshqir sa më të butë ose një nape pambuku. Fëmija duhet vendosur përmbysur dhe më pas ndërrohet pozicioni për një fshirje sa më të mirë.
Ky është momenti ideal për t’i bërë një masazh me ndonjë vaj bimor. Masazhi duhet bërë vetëm me mollëzat e gishtave dhe duke mos ushtruar forcë. /Living