Me rritjen e përdorimit dhe qasjes ndaj kanabisit në Europë, studiues në Mbretërinë e Bashkuar kanë propozuar kufij të rinj për përdorim më të sigurt, të ngjashëm me udhëzimet për konsumimin e alkoolit. Studimi, i kryer nga Universiteti i Bath-it dhe i publikuar në revistën “Addiction”, sugjeron vendosjen e një pragu javor bazuar në përmbajtjen e THC-së, përbërësi psikoaktiv i kanabisit.
Sipas studiuesve, të rriturit nuk duhet të tejkalojnë tetë njësi THC në javë, që korrespondon me rreth 40 miligramë THC ose afërsisht një e treta e një grami kanabis bimor.
“Qëllimi ynë përfundimtar është reduktimi i dëmit. Niveli i vetëm vërtet i sigurt i përdorimit të kanabisit është mos-përdorimi,” tha Rachel Lees Thorne, autore kryesore e studimit.
Megjithatë, udhëzimet synojnë të ndihmojnë ata që nuk duan ose nuk munden ta ndërpresin përdorimin, duke ulur rrezikun për shëndetin, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit konstatuan se rreziku për çrregullim nga përdorimi i kanabisit (CUD) rritet mbi tetë njësi THC në javë dhe bëhet më i lartë mbi 13 njësi.
CUD prek rreth 22% të përdoruesve të rregullt dhe shoqërohet me varësi, dëshirë të fortë dhe vështirësi në jetën e përditshme.
Kanabisi është droga ilegale më e përdorur në Europë, me rreth 24 milionë përdorues vjetorë, ndërsa mbi 4 milionë konsumojnë pothuajse çdo ditë.
Ekspertët theksojnë se me ndryshimet ligjore në disa vende europiane, informimi i saktë i publikut është thelbësor për të reduktuar rreziqet shëndetësore. /Gazeta Shneta/


