Mund të jetë normale të zgjoheni një ose edhe dy herë gjatë natës për të urinuar, veçanërisht kur plakemi.
Një në tre të rritur mbi 30 vjeç bën të paktën ‘dy udhëtime’ drejt tualetit çdo natë, shkruan burimi The Conversation përcjell Gazeta Shneta.
Zgjimi nga gjumi për të urinuar në baza të rregullta quhet nokturia. Është një nga simptomat shqetësuese urinare më të raportuara.
Pra, çfarë e shkakton nokturinë dhe si mund të ndikojë në mirëqenien?
Nokturia mund të shkaktohet nga një sërë kushtesh mjekësore, të tilla si problemet e zemrës ose veshkave, diabeti i kontrolluar keq, infeksionet e fshikëzës, fshikëza tepër aktive ose problemet gastrointestinale. Shkaqe të tjera përfshijnë shtatzëninë, medikamentet dhe konsumimin e alkoolit ose kafeinës para gjumit.
Ndërsa nokturia shkakton gjumin e ndërprerë, e kundërta është gjithashtu e vërtetë. Gjumi i prishur ose pagjumësia, gjithashtu mund të shkaktojë nokturinë.
Kur flemë, lirohet një hormon antidiuretik që ngadalëson ritmin me të cilin veshkat tona prodhojnë urinë. Nëse qëndrojmë zgjuar gjatë natës, më pak nga ky hormon lirohet, që do të thotë se ne vazhdojmë të prodhojmë norma normale të urinës. Kjo mund të përshpejtojë ritmin me të cilin mbushim fshikëzën tonë dhe duhet të ngrihemi gjatë natës.
Stresi, ankthi dhe shikimi i televizorit deri në orët e vona të natës janë shkaqe të zakonshme të pagjumësisë.
Efektet e nokturisë në funksionimin e përditshëm
Sasia e rekomanduar e gjumit për të rriturit është nga shtatë deri në nëntë orë në natë. Sa më shumë herë që duhet të ngriheni gjatë natës për të shkuar në tualet, aq më shumë kjo ndikon në sasinë dhe cilësinë e gjumit.
Rënia e cilësisë së gjumit mund të rezultojë në lodhje të shtuar gjatë ditës, përqendrim të dobët, harresë, ndryshime në humor dhe performancë të dëmtuar në punë.
Nëse ju mungon gjumi cilësor për shkak të ‘udhëtimeve të natës’ në tualet, kjo mund të ndikojë në cilësinë e jetës tuaj.
Në rastet më të rënda, nokturia është krahasuar me një ndikim të ngjashëm në cilësinë e jetës si diabeti, presioni i lartë i gjakut, dhimbja në gjoks dhe disa forma të artritit. Gjithashtu, ndërprerjet e shpeshta të cilësisë dhe sasisë së gjumit mund të kenë ndikime afatgjata shëndetësore. /Gazeta Shneta/