Afër 2 mijë euro kanë shpenzuar kosovarët për të blerë ilaçin e COVID-19, Remdesivirin, për tajtimin e një pacienti.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për furnizimin me barëra të COVID-19 ka gjetur se për 11 ampula sa u janë përshkruar pacientëve kanë shpenzuar afro 2 mijë euro apo saktësisht 1,980 euro.
“Nëse e krahasojmë totalin e kostos për një terapi të barit “Remdesivir” me pagën mesatare në Kosovë gjatë vitit 2020 prej 416 euro neto, atëherë vërejmë se një pacient ka paguar 4.75 paga mesatare për një terapi “Remdesivir” prej 11 ampulave, [një ampulë Remdesivir 100 mg = 180 euro, terapia prej 11 ampula = 1,980 euro, kosto e një terapie = 416 euro apo 4.75 paga mesatare )”, thuhet në raport.
Në raport thuhet po ashtu se të gjitha repartet e Klinikës Infektive të QKUK-së që nga janari 2021 kanë mbajtur shënime në fletoret e tyre të punës për barërat të cilat i kanë blerë pacientët me COVID-19.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar se institucionet shëndetësore nuk kanë arritur me kohë të sigurojnë të gjitha barërat dhe materialet e nevojshme shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, prandaj, sipas tyre, në shumë raste pacientët janë detyruar që vetë t’i blejnë disa nga barërat për trajtim mjekësor.
Sipas raportit të ZKA-së, auditori ka vërejtur se bari më i shpeshtë që është blerë nga pacientët COVID-19 të Klinikës së Infektivës është “Remdesivir” dhe “Favipiravir”.
“Një sasi prej 12,200 barëra “Favipiravir” 200 mg ishte pranuar gjatë vitit 2020 në formë të donacioneve, prej të cilave në fund të vitit 2020 kishin mbetur 1,100 copë, të cilat bashkë me një donacion tjetër prej 1,834 copë, të pranuara në janar të vitit 2021 kanë qenë të disponueshme deri në fund të muajit mars”, thuhet në raport. /kallxo