Një studim i ri nga Shoqata Amerikane e Kancerit (ACS) zbuloi se një numër i lartë i rasteve të kancerit dhe vdekjeve tek të rriturit 30-vjeç e sipër ishin për shkak të faktorëve që mund të parandaloheshin potencialisht, si pirja e duhanit dhe dieta e dobët ushqyese.
Gjetjet zbuluan se 40 për qind e rasteve dhe rreth gjysma e të gjitha vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara i atribuohen faktorëve që mund të kontrollohen, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan incidencën dhe vdekshmërinë e 30 llojeve të kancerit në lidhje me 18 faktorë rreziku të modifikueshëm.
“Një numër i madh i rasteve të kancerit dhe vdekjeve në Shtetet e Bashkuara i atribuohen faktorëve të rrezikut potencialisht të modifikueshëm, duke treguar potencialin për të reduktuar ndjeshëm barrën e kancerit përmes zbatimit të gjerë dhe të barabartë të nismave parandaluese”, tha Dr. Farhad Islami, autori kryesor i studimit për Euronews Health.
Faktorët e përfshirë në studim varionin nga pirja e duhanit, pesha e tepërt trupore, pirja e alkoolit e deri te konsumimi i mishit të kuq dhe të përpunuar, konsumimi i ulët i frutave dhe perimeve, fibrave dietike dhe kalciumit dietik.
Faktorë të tjerë ishin pasiviteti fizik, rrezatimi ultravjollcë (UV) dhe infeksionet që shkaktojnë kancer, si human papillomavirusi (HPV).
Pirja e duhanit u identifikua si faktori kryesor i rrezikut dhe ishte përgjegjës për 20 për qind të të gjitha rasteve të kancerit dhe 30 për qind të vdekjeve nga kanceri në SHBA. Ajo u pasua nga mbipesha trupore dhe konsumimi i alkoolit.
Për të ulur rrezikun e kancerit, Dr. Islami sugjeroi që njerëzit mund të ndërmarrin veprime në nivel individual duke shmangur ose reduktuar ekspozimin ndaj këtyre faktorëve të rrezikut.
Rekomandimet për të reduktuar rrezikun e prekjes ose vdekjes nga kanceri përfshijnë shmangien e përdorimit të çdo produkti të duhanit dhe që duhanpirësit të tërhiqen nga duhani.
Masa të tjera përfshijnë ndjekjen e udhëzimeve dietike, qëndrimin fizikisht aktiv, mbajtjen e një peshe të shëndetshme trupore dhe kufizimin e ekspozimit të tepërt në diell.
Rekomandohej gjithashtu vazhdimi i vaksinimeve të nevojshme, si për virusin e hepatitit B (HBV) dhe HPV.
“Vaksinimi në kohën e rekomanduar mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e infeksionit kronik, dhe rrjedhimisht, kancereve të lidhura me këto viruse,” tha në një deklaratë, Dr. Ahmedin Jemal, autor i lartë i studimit. /Gazeta Shneta/


