Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave të përfshirë në aferën Pronto, ku në mesin e tyre janë zyrtarë të lartë të PDK-së, deputetë e ministra.
Në mesin e të akuzuarve në krye me Adem Grabovcin, Besim Beqajn e Zenun Pajazitin, është edhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, shkruan Gazeta Shneta.
Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Punësimet në bazë të nepotizmit e bindjeve politike, që përbëjnë vepër penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal janë të dënueshme maksimumi deri në 5 vite burgim.
Insajderi pati publikuar incizimet e bisedave ndërmjet Adem Grabovcit dhe Ilhami Gashit, për konkursin për kryeshef të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.
Grabovci dhe Gashi donin ta zgjidhnin Pajazitin në këtë pozitë, por nuk kishin arritur “të punonin” sa duhet me anëtarët tjerë të Komisionit.
Për këtë dështim Grabovci ishte zhgënjyer fort me Gashin, i cili deri në atë moment ishte i kënaqur me shërbimet që ia kryente. (Dëgjoni bisedat në videon e publikuar më poshtë).
Por kjo nuk është aktakuza e vetme që Arbenita Pajaziti përballet me drejtësinë. Ajo ka qenë e akuzuar edhe në rastin Tolaj ku ishte dënuar me 8 muaj burg me kusht për korrupsion në vitin 2013 dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 2 vite. /Gazeta Shneta/