Mund të jenë të vegjël dhe jo të aftë për të bashkëbiseduar me ne, por bebet na e vërtetojnë çdo ditë zgjuarsinë e tyre kolektive. Kjo nuk është vetëm një përshtypje nga jeta e përditshme e prindërve dhe të afërmve të bebeve nëpër botë, por me zhvillimin e mënyrave më të zgjuara për të zbuluar aftësitë e të vegjëlve, shkencëtarët kanë zbuluar se aftësitë e tyre janë më të mëdha se sa mund të mendojmë ne të rriturit. Më poshtë ju prezantojmë me disa aftësi të mirëfillta të njerëzve të vegjël…
Bebet e dinë kush është “shefi”
Që në muajin e dhjetë të jetës së tyre, bebet e njohin autoritetin.
Kur u prezantuan me disa vizatime personazhesh të animuara që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, foshnjat ua ngulin sytë për një kohë më të gjatë dhe manifestojnë më shumë befasi, kur një personazh më i madh, i nënshtrohet një personazhi më të vogël, sesa kur një personazh i vogël i nënshtrohet më të madhit. Ky zbulim i botuar në janar të vitit 2011 në Gazetën Shkenca, sugjeron se bebet kuptojnë hierarkitë shoqërore, kuptojnë se masa mund të vendosë se kush është “shefi”. Ky studim tregon se në trurin e vogël fillojnë të ndërtohen bazat e ndërveprimeve shoqërore njerëzore.
Ndjejnë emocionet e qenve
Para se të shqiptojnë fjalët e para “mama” dhe “dada”, bebet arrijnë të deshifrojnë emocionet e qenve. Një studim i vitit 2009, zbuloi se foshnjat 6 muajshe mund të përputhin tingujt e një lehjeje inatçore dhe një hungërime miqësore me gjuhën trupore në fotot respektive të qenve. “Emocionet janë gjëja e parë që mësojnë bebet në botën sociale”, thotë Ross Flom, kreu i grupit kërkimor dhe profesor i psikologjisë në Universitetin Brigham Young në Utah. Ky studim është botuar në Gazetën e Psikologjisë së Zhvillimit.
Kuptojnë gjendjet shpirtërore dhe emocionet tona
Edhe para se të fillojnë të flasin, bebet e ndjejnë kur të rriturit janë të mërzitur. Që në moshën 5 muajshe, bebet perceptojnë saktësisht një këngë të gëzuar dhe një këngë depresive, sipas një studimi të publikuar në 2010-n në Gazetën Neuron, ku bebet identifikuan tingujt e trishtueshëm të Simfonisë së Shtatë të Bethovenit mes disa melodive të gëzueshme që iu prezantuan.
Bebet kanë lindur për të kërcyer
Bebet e kanë të pamundur t’i rezistojnë muzikës. Jo vetëm që e kapin ritmin me veshin e tyre, por edhe mund të kërcejnë në të njëjtën kohë, sipas ritmit që perceptojnë, sipas një studimi të botuar në 2010-n.
Për të parë disponimin e bebeve për të vallëzuar, shkencëtarët lanë foshnjat të dëgjojnë incizime të dikujt që flet, tinguj muzike klasike, si dhe muzikë ritmike dhe xhiruan me videokamera reagimet e tyre. Shkencëtarët rekrutuan balerinë profesionalë për të analizuar mënyrën se si i përshtasin bebet lëvizjet e tyre me muzikën.
Bebet lëvizën krahët, duart, këmbët, shputat, kokat dhe trupat e tyre në përgjigje të muzikës më shumë se ndaj ligjëratës. Ky studim sugjeron se aftësia për të kërcyer lind me njeriun, megjithëse shkencëtarët ende nuk e dinë arsyen pse ka evoluar kjo aftësi.
Imitojnë lëvizjet tona
Një studim i 2009-s ka zbuluar se kur bebet 9 muajshe shohin një të rritur që kap një objekt të caktuar, pjesa që kontrollon lëvizjet e tyre motorike në tru aktivizohet, duke vënë në lëvizje neuronet imituese të lëvizjes.
Këto qeliza truri veprojnë si për veprime reale, ashtu edhe për veprime të vëzhguara. Në një nga eksperimentet e studimit, pasi bebet vëzhguan një të rritur që kap lodrën, “aktiviteti pasqyrë” i trurit gjithashtu merr pjesë para veprimit. Ky kapacitet parashikues mund t’i ndihmojë bebet t’u përgjigjen veprimeve, si ndërprerja e lëvizjes dhe marrja e lodrës.
Bebet mësojnë shpejt gjatë gjumit
Bebet mund të mësojnë edhe kur janë në gjumë, sipas një studimi të 2010-s. Në eksperimente që janë bërë me 26 të porsalindur të përgjumur, ku secili ishte nga 1 deri 2 ditësh, shkencëtarët vunë muzikë që ndiqej nga një duhmë ajri në sytë e tyre, 200 herë gjatë një periudhë prej 30 minutash. Një rrjet prej 124 elektrodash në kafkën dhe fytyrën e bebeve regjistronte aktivitetin e trurit gjatë këtij eksperimenti. Bebet menjëherë mësuan t’i paraprijnë duhmës së ajrit sapo dëgjonin muzikën, duke demonstruar një rritje katërfish të shtrëngimit të qepallave në përgjigje të tingullit.
Meqenëse të porsalindurit e shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre në gjumë, kjo aftësi është jetësore për t’u adoptuar me mjedisin e ri jashtë barkut të nënës, gjë që siguron më mirë mbijetesën e tyre në botën e re.
Bebet e dinë matematikën e tyre
Në një studim të vitit 2006, disa bebe 7 muajshe u prezantuan me dy ose tre gra që thonin “shiko” dhe më pas iu desh të zgjidhnin një imazh video me dy gra dhe një imazh video me tri gra që e thonin këtë fjalë. Bebet arritën të dallojnë diferencën e numrit të grave në secilën video.
Bebet e dinë gramatikën e tyre
Në një studim të botuar te Gazeta Shkenca në 2007-n, shkencëtarët u paraqitën foshnjave disa video pa zë të tri folësve dygjuhësorë, të cilët lexonin fjali në dy gjuhë, anglisht dhe frëngjisht. Pasi u adoptuanme folësin që lexonte një fjali në njërën prej gjuhëve, bebet nga mosha 4 deri në 6 muajshe kaluan më shumë kohë duke ngulur sytë te folësi kur ai fliste në një gjuhë tjetër — fenomen që demonstron se bebet mund të kuptojnë ndryshimin e lëvizjes së gojës së folësit në dy gjuhët e ndryshme.
“Ne themi se foshnja është ‘inteligjente’, por ky eksperiment vërteton se foshnjat kanë aftësi të mësojnë pa mundim të madh cilëndo nga gjuhët e botës”, thotë psikologu George Hollich, nga Universiteti Purdue. Studimet e Hollich tregojnë se bebet fillojnë të kuptojnë gramatikën në moshën 15 muajshe, duke procesuar njëkohësisht si gramatikën, ashtu edhe fjalët.
Janë gjykues të mirë të karakterit
Të kuptosh se kush është i dobishëm dhe kush është i rrezikshëm është shumë e rëndësishme në përzgjedhjen e miqve. Kjo aftësi e jona fillon shumë herët. Kiley Hamlin, nga Universiteti Yale, prezantoi disa foshnja nga 6 deri në 10 muajsh, me teatër kukullash, ku kukullat kishin forma të antropomorfizuara, ku secila formë ndihmonte formën tjetër t’i ngjitej një kodre. Në një skenë tjetër, një formë e re e shtynte formën që ngjitej, derisa ai binte nga kodra. Pas shfaqjes, foshnjat mund të zgjidhnin se cilën formë preferonin. Për të gjitha grupmoshat, shumica e tyre zgjodhën format që ndihmonin ngjitjen e kodrës. Kjo aftësi, mund të jetë hapi i parë në formimin e moralit tek njerëzit, sugjeron Hamlin.