Ish-ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po kërkojnë nga Gjykata e Apelit lirimin nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e njohur si “Stenta 1”.
Ata akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale, raporton “Betimmi për Drejtësi”
Lidhur me këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 prill 2019 kishte shpallur fajtor ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarin e kësaj ministrie, Gani Shabani, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në seancën e mbajtur të premten, në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, u shqyrtuan ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve për këtë rast. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes ankesës së ushtruar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, sa i përket vendimit mbi dënimin, ka kërkuar nga Apeli që ta ndryshoj aktgjykimin e shkallës së parë dhe të dënuarve t’u shqiptohen dënime më të ashpra, duke marr parasysh rrethanat rënduese të cilat janë injoruar nga gjykata e shkallës së parë.
Ankesë brenda afatit ligjor ka ushtruar edhe mbrojtësi të akuzuari Agani, avokati Adem Vokshi, i cili ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që aktakuza e ngritur nga organi jo kompetent të refuzohet dhe të mbrojturin e tij ta liroj nga akuza, apo aktgjykimin e shkallës së parë ta anuloj dhe çështjen ta kthej në rigjykim.
Ai gjatë seancës deklaroi se aktgjykimi i shkallës së parë është skandaloz, pasi sipas tij, lidhur me dispozitivin e aktgjykimit ku thuhet se i akuzuari Agani ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim që për vete apo për tjetrin të fitoj dobi pasurore, edhe vet gjykata nuk është në gjendje të përcaktoj se kujt i ka sjellë dobi pasurore, me veprimet e tij të kundërligjshme.
“Gjatë tërë procesit gjyqësor trupi gjykues nuk ka pasur në dispozicion asnjë provë me të cilën do të vërtetohej dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, edhe pse ky dëm është 4 milion e gjysmë”, shtoi avokati Vokshi.
Sipas tij, sa i përket ekzistimit të lartësisë së dëmit, gjykata nuk ka pasur asnjë provë me të cilën do të vërtetohej lartësia e dëmit, por sipas tij, këtë e ka bazuar vetëm në pretendimet shabllone të prokurorisë, të cilat nuk janë vërtetuar asnjëherë me asnjë ekspertizë financiare.
Po ashtu ai shtoi se në një pjesë të periudhës në të cilën pretendohet se është kryer vepra penale, i akuzuari Agani nuk ka qenë fare ministër i kësaj Ministrie.
“Gjykata e shpall fajtor për periudhën në të cilën ai nuk kishte qenë fare ministër i Shëndetësisë, gjykata ka administruar provat sa i përket vendimit mbi emërimin e tij në pozitën e ministrit”, ka thënë ai.
Shkrimin e plotë e gjeni në betimipërdrejtësi.com