Agjencia Evropiane për Sigurinë Ushqimore (EFSA) ka vlerësuar se nivelet e fluorit në ujin e pijshëm në BE janë përgjithësisht të sigurta për popullatën, por ka vendosur kufij të rinj të marrjes ditore, sidomos për fëmijët.
Fluori është një mineral natyral që ndihmon në parandalimin e prishjes së dhëmbëve dhe ndodhet në rreth 90% të pastave të dhëmbëve. Në disa vende të BE-së, si Irlanda dhe pjesë të Spanjës, ai shtohet edhe në ujin e pijshëm, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon kufirin maksimal prej 1.5 mg/L për fluorin në ujë, studimet e fundit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm të tij në zhvillimin e trurit tek fëmijët, edhe në nivele më të ulëta.
EFSA analizoi mbi 20,000 studime shkencore dhe vlerësoi ekspozimin ndaj fluorit përmes ujit, ushqimit, kripës së fluorur dhe produkteve dentare të përtypura ose të gëlltitura.
Në BE, nivelet mesatare të fluorit në ujë janë më pak se 0.3 mg/L – shumë më poshtë se kufiri ligjor dhe të konsideruara të sigurta. Sidoqoftë, tek fëmijët 4–8 vjeç që mund të gëlltisin rregullisht pastën e dhëmbëve, mund të ndodhë një zbardhje e lehtë e dhëmbëve, veçanërisht në dhëmballët në zhvillim.
Për këtë arsye, EFSA vendosi kufij të rinj të marrjes ditore të fluorit:
– 1 mg/ditë për bebet nën 1 vjeç;
– 1.6 mg/ditë për fëmijët 1–3 vjeç;
– 2 mg/ditë për ata 4–8 vjeç;
– Për të rriturit dhe fëmijët mbi 8 vjeç, kufiri i sigurt është 3.3 mg/ditë.
Këto masa synojnë edhe mbrojtjen e fetusit gjatë shtatzënisë. Ekspertët kërkojnë më shumë studime mbi ndikimet e mundshme neurologjike të fluorit në nivele më të ulëta. /Gazeta Shneta/


