Një metodë e re që kombinon matjet e elektrohisterogramit dhe të dhënat klinike mund të ndihmojë në parashikimin e lindjes së parakohshme që në javën e 31-të të shtatzënisë.
Lindja e parakohshme, kur një fëmijë lind para javës së 37-të të shtatzënisë, prek një në dhjetë shtatzëni globalisht, shkruan Health News përcjell Gazeta Shneta.
Shtetet e Bashkuara janë ndër dhjetë vendet me numrin më të madh të lindjeve të parakohshme.
Mjetet aktuale diagnostikuese, si matja e gjatësisë së qafës së mitrës, mund të parashikojnë lindjen e parakohshme brenda një jave para lindjes së fëmijës në gratë me simptoma të lindjes së parakohshme.
Në një përpjekje për të përmirësuar parashikimin dhe rezultatet e lindjes, studiuesit në shkollën e inxhinierisë McKelvey në Universitetin e Uashingtonit St. Louis, përdorën matje nga elektrohisterografia (EHG), një teknikë joinvazive që zbulon aktivitetin elektrik të mitrës përmes elektrodave të vendosura në bark.
Ata përdorën gjithashtu informacione klinike nga dy baza të të dhënave publike, si mosha e nënës, mosha gestacionale, pesha dhe gjakderdhja në tremujorin e parë ose të dytë.
Për të mësuar më shumë rreth komplikimeve të shtatzënisë KLIKO KËTU.
Së pari, studiuesit u përpoqën të parashikonin lindjet e parakohshme duke përdorur vetëm informacionin klinik.
Më pas ata trajnuan një model të të mësuarit të thellë mbi të dhënat nga elektrohisterografia 30-minutëshe të kryera në një total prej 159 grave shtatzëna që ishin të paktën 26 javë shtatzënie. Midis këtyre nënave, gati 19% kanë lindur para kohe.
Në studimin e botuar në revistën “PLOS One”, është parë se metoda e re tejkaloi biomarkerët e standardit të artë të lindjes së parakohshme, si gjatësia e qafës së mitrës dhe fibronektina alfa.
“Ne parashikuam rezultatet e shtatzënive nga regjistrimet e elektrohisterografisë duke përdorur një rrjet nervor të thellë sepse rrjetet nervore mësojnë automatikisht veçoritë më informuese nga të dhënat,” tha autori i studimit, Uri Goldsztejn në një njoftim për shtyp.
“Algoritmi i të mësuarit të thellë arriti një performancë më të mirë se metodat e tjera dhe siguroi një mënyrë të mirë për të kombinuar të dhënat e elektrohisterografisë me informacionin klinik”. /Gazeta Shneta/