Aknet janë një nga problemet më të shpeshta të lëkurës, që prekin veçanërisht adoleshentët, por edhe moshat e tjera. Faktorë të ndryshëm si ndryshimet hormonale, stresi, ushqimi apo përdorimi i produkteve të papërshtatshme kozmetike mund të ndikojnë në shfaqjen dhe përkeqësimin e tyre. Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, dermatologia Dafina Krasniqi shpjegon shkaqet kryesore të akneve, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre dhe mënyrat e trajtimit dhe parandalimit.
Shneta: Çfarë roli ka shtresa yndyrore e lëkurës në mbrojtjen nga faktorët e jashtëm?
Dr. Krasniqi: Në lëkurën tonë ka një shtresë mbrojtëse yndyre kundër faktorëve të jashtëm. Disa individë gjenetikisht kanë lëkurë shumë të yndyrshme.
Në cilat pjesë të trupit shfaqet më shpesh yndyra e tepërt?
Dr. Krasniqi: Kjo është veçanërisht e dukshme në fytyrë, shpinë dhe pjesën e sipërme të gjoksit. Poret bllokohen për shkak të sekretimit të tepërt të yndyrës. Më pas shfaqen si pika të zeza kur shikohen nga jashtë. Këto quhen komedone. Disa janë në formën e një flluske të bardhë. Si rezultat, aknet tani kanë filluar.
Pse aknet janë më të shpeshta gjatë pubertetit?
Një nga shqetësimet më të shpeshta të adoleshencës janë problemet me lëkurën apo puçrrat e shtuara.
Dr. Krasniqi: Aknet janë normale dhe pasojë e ndryshimeve nëpër disa faza të jetës dhe pjesës hormonale, sidomos gjatë fazës së pubertetit.
Cilët faktorë ndikojnë në shfaqjen e akneve përveç moshës?
Dr. Krasniqi: Por nuk do të jenë vetëm adoleshentët që preken nga ky shqetësim; ka edhe mosha të tjera. Ka shumë faktorë që ndikojnë në shfaqjen e këtyre pikave të vogla në fytyrë apo trup. Ne, si dermatologë, pacientëve u tregojmë që shkaqet e shfaqjes së puçrrave të vazhdueshme në fytyrë nuk janë gjithmonë të dukshme, por janë prezente brenda në organizëm. Ato nisin nga yndyra e tepërt në lëkurë, tek poret e hapura, bakteret e jashtme që futen në pore dhe inflamacioni. Nga yndyra e tepërt deri tek një akne e inflamuar, zinxhiri i proceseve që ndodhin krijon edhe aknet, të cilat shpeshherë janë kronike.
Si ndikon çrregullimi hormonal në krijimin e akneve?
Dr. Krasniqi: Pasqyra hormonale jo në balancë, stresi i tepërt, kequshqyerja, duhani për një kohë të gjatë apo cikli menstrual tek gratë mund të ndikojnë në këtë proces. Për këtë arsye formohet yndyra e tepërt në lëkurë, sidomos në fytyrë. Gratë që kanë telashe hormonale apo me vezore dhe sinjali i parë që na japin shpesh janë aknet. Për këtë arsye duhet një kontroll tek gjinekologu dhe dermatologu.
A mund të shkaktohen aknet nga produktet kozmetike të papërshtatshme? Si?
Dr. Krasniqi: Produktet jo të përshtatshme kozmetike mund të bllokojnë poret dhe të shkaktojnë akne. Nëse produktet kozmetike qëndrojnë për një kohë të gjatë në diell, ato nuk e kryejnë më funksionin e tyre pasi janë produkte të skaduara. Prandaj duhet të eliminoni në maksimum blerjen e këtyre produkteve në rrugë. Duhet të mendohet se përdorimi i tyre mund të shkaktojë infeksione të ndryshme në lëkurë, që mund të shkojnë deri në kancer të lëkurës. Duke menduar se po kurseni duke blerë produkte të lira, mund të shpenzoni më shumë për kurimin e lëkurës nga efektet negative që ato sjellin.
Cilët janë ushqimet që shkaktojnë ose përkeqësojnë aknet?
Dr. Krasniqi: Ushqimet me indeks të lartë glicemik (sheqernat, karbohidratet e rafinuara), qumështi i lopës dhe produktet e tij, si dhe ushqimet e skuqura apo të procesuara mund të nxisin inflamacionin dhe mbiprodhimin e yndyrës në lëkurë. Dietat e varfra me vitamina dhe minerale, gjërat e ëmbla, pijet e gazuara dhe ushqimet e konservuara gjithashtu mund të ndikojnë negativisht. Çdo infeksion brenda në organizëm mund të shkaktojë akne. Për këtë arsye preferohet kontrolli tek dermatologu për të gjetur shkaktarin dhe për të ruajtur më mirë shëndetin e lëkurës.
Si të veprohet për parandalimin e akneve?
Dr. Krasniqi: Ushqimi i duhur dhe konsumimi sa më i madh i ujit janë shumë të rëndësishme. Nëse kemi çrregullime hormonale, duhet t’i largojmë gradualisht produktet e bulmetit pasi mund të ndikojnë në përkeqësimin e akneve. Gjithashtu kujdesuni ta lani fytyrën me produktet e duhura, duke zgjedhur gjithmonë ato për fytyra me yndyrë, në mënyrë që të balanconi pH-in e lëkurës. Gjithmonë rekomandohet konsultimi me dermatologun.
Cili është roli i terapive lokale dermatologjike? Pse trajtimi duhet të bëhet gjithmonë me konsultë dermatologu?
Dr. Krasniqi: Largoni produktet që përmbajnë vajra apo vajra esencialë për fytyrën, pasi mund të ndikojnë në bllokimin e poreve dhe në shtimin e akneve. Çdo herë përdorni krem mbrojtës para se të dilni në rrugë, sidomos në verë, në mënyrë që të mos lejoni diellin t’ju shtojë njollat e akneve. Mbajeni fytyrën tuaj gjithnjë nën kontroll mjekësor dhe në balancë.
Pse është e rëndësishme analiza laboratorike para fillimit të trajtimit? Kur përdoren antibiotikët në trajtimin e akneve?
Dr. Krasniqi: Për mjekim gjithmonë duhet të kemi një pasqyrë të analizave. Antibiotikët janë një opsion për trajtimin e akneve, pavarësisht nëse merren nga goja ose aplikohen nga jashtë, edhe me terapi lokale të cilat i përshkruan dermatologu./Gazeta Shneta/



