Aktiviteti fizik i rregullt mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit dhe jetëgjatësisë. Studimet e fundit tregojnë se ushtrimet jo vetëm që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve, por edhe zgjasin periudhën e jetës së kaluar në shëndet të mirë, veçanërisht në moshat e avancuara.
Një studim i publikuar në vitin 2025 zbuloi se aktiviteti fizik ndihmon në ruajtjen e masës muskulore duke aktivizuar mekanizma biologjikë që riparojnë qelizat e dëmtuara.
Shkencëtarët identifikuan se ushtrimet stimulojnë të ashtuquajturat “gjene të jetëgjatësisë”, të cilat ndihmojnë muskujt të largojnë proteinat e dëmtuara dhe të ruajnë funksionimin normal me kalimin e viteve, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një tjetër studim, i kryer tek të moshuarit me moshë mesatare 72 vjeç, tregoi se stërvitja me intervale me intensitet të lartë (HIIT) mund të jetë forma më efektive e aktivitetit fizik për ruajtjen e muskujve dhe reduktimin e yndyrës trupore. Pas gjashtë muajsh ushtrime tri herë në javë, vetëm pjesëmarrësit që praktikuan HIIT arritën të ruanin masën muskulore duke humbur njëkohësisht yndyrë.
Ndërkohë, një analizë e mbi 111 mijë personave zbuloi se çelësi i jetëgjatësisë nuk qëndron vetëm tek sasia e aktivitetit fizik, por edhe tek larmia e tij.
Personat që kombinonin sporte dhe aktivitete të ndryshme, si ecja, vrapi, çiklizmi apo ushtrimet e forcës, kishin 19 për qind më pak rrezik për vdekje të parakohshme krahasuar me ata më pak aktivë.
Ekspertët theksojnë se pothuajse çdo formë aktiviteti fizik sjell përfitime.
Megjithatë, kombinimi i llojeve të ndryshme të ushtrimeve dhe praktikimi i tyre në mënyrë të rregullt duket se ofron mbrojtjen më të madhe për shëndetin dhe një jetë më të gjatë e më cilësore. /Gazeta Shneta/


