Shoqata Amerikane e Kancerit ka përditësuar udhëzimet për depistimin e kancerit kolorektal, duke përfshirë teste të reja gjaku dhe analiza të jashtëqitjes që mund të kryhen në shtëpi. Synimi është rritja e pjesëmarrjes në kontrollet parandaluese dhe zbulimi më i hershëm i sëmundjes.
Kanceri kolorektal është kanceri i tretë më i shpeshtë në botë dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri. Shqetësim i veçantë mbetet rritja e rasteve tek personat nën moshën 50-vjeç, ku kjo sëmundje po shfaqet gjithnjë e më shpesh, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas rekomandimeve të reja, të gjithë të rriturit me rrezik mesatar duhet të fillojnë depistimin në moshën 45-vjeçare dhe ta vazhdojnë deri në moshën 75 vjeç, ndërsa në raste të veçanta kontrolli mund të vazhdojë deri në moshën 85-vjeçare. Personat me rrezik më të lartë mund të kenë nevojë të nisin kontrollin edhe më herët.
Kolonoskopia mbetet metoda më e besueshme dhe konsiderohet “standardi i artë” për zbulimin e kancerit të zorrës së trashë.
Megjithatë, udhëzimet e reja përfshijnë edhe testet moderne të jashtëqitjes, si “Cologuard” dhe “ColoSense”, të cilat mund të kryhen në shtëpi çdo tre vjet. Këto analiza kërkojnë gjurmë gjaku dhe ndryshime gjenetike që lidhen me kancerin.
Për herë të parë është përfshirë edhe një test gjaku, i quajtur “Shield”, i cili rekomandohet për personat që refuzojnë ose nuk kryejnë metodat e tjera të depistimit.
Ekspertët theksojnë se çdo rezultat pozitiv nga testet e jashtëqitjes ose të gjakut duhet të pasohet me kolonoskopi brenda gjashtë muajve.
Zbulimi i hershëm i sëmundjes mund të rrisë shkallën e mbijetesës mbi 90 për qind, duke e bërë depistimin një nga armët më të forta kundër kësaj forme kanceri. /Gazeta Shneta/


