Ndërtesa e ambulancave specialistike në Qendrën Klinike Universitare do të shërbejnë për vizita të pacientëve me Covid-19.
Këtë e ka bërë të ditur u.d. drejtori i SHSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi. Ai ka thënë se të gjithë pacientët që drejtohen për ndihmë në QKUK, do të vizitohen nga mjekët fillimisht në këto ambulanca.
“Në kuadër të riorganizimit të hapësirave, ne përveç shtretërve kemi menduar ta riorganizojmë edhe më mirë shërbimin e pranimit të ashtuquajtura ambulancat COVID do të vendosen tek ambulanca specialistike, është bërë orari dhe janë përcaktuar ekipet që do punojnë aty. Tash pacientët kur të arrijnë në QKUK do e kenë një adresë të vetme ku do të drejtohen dhe jo të shëtisin nëpër klinika, dhe aty stafi mjekësor në bazë të kritereve të vlerësimet për pacientët që do kenë nevojë për t’u shtrirë në spital do kenë mundësi për t’u shtrirë… Shumë shpejt brenda këtyre ditëve ne do ta funksionalizojmë këtë shërbim të ri si organizim”, tha Krasniqi për kosovapress.
Krasniqi thotë se gjendja me koronavirus në vend është duke u rënduar çdo ditë e më shumë. Sipas tij nga gjithsej 600 pacientë sa janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale, 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi.