Një studim i ri sugjeron se një analizë gjaku që mat moshën biologjike të organizmit mund të ndihmojë në identifikimin e personave me rrezik të lartë për zhvillimin e demencës, madje shumë vite përpara shfaqjes së simptomave të para.
Studiuesit nga “King’s College London”, analizuan mostrat e gjakut të më shumë se 220 mijë pjesëmarrësve në bazën e të dhënave UK Biobank. Duke përdorur një metodë të quajtur “ora metabolike e plakjes”, ata matën moshën biologjike përmes molekulave të prodhuara gjatë metabolizmit dhe e krahasuan atë me moshën kronologjike të secilit individ.
Rezultatet treguan se personat, mosha biologjike e të cilëve ishte dukshëm më e lartë se mosha reale, kishin rreth 20% më shumë gjasa të zhvillonin demencë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rreziku ishte edhe më i lartë për demencën vaskulare, ku plakja e përshpejtuar biologjike lidhej me një rritje prej 60% të mundësisë për t’u prekur nga sëmundja.
Studimi vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e faktorëve gjenetikë. Individët që bartnin dy kopje të variantit gjenetik APOE4, i njohur si faktori më i fortë gjenetik i rrezikut për demencën, dhe njëkohësisht kishin moshë biologjike të avancuar, rezultuan deri në 10 herë më të rrezikuar se mesatarja për zhvillimin e sëmundjes.
Sipas studiuesve, ndryshe nga faktorët gjenetikë, mosha biologjike mund të ndikohet nga mënyra e jetesës dhe ndërhyrjet mjekësore.
Kjo e bën testin një mjet premtues për zbulimin e hershëm të rrezikut dhe për ndërmarrjen e masave parandaluese që mund të vonojnë ose zvogëlojnë shfaqjen e demencës. /Gazeta Shneta/


