Një test i ri gjaku i zhvilluar nga studiuesit e Universitetit Stanford mund të ndryshojë mënyrën se si parashikohen sëmundjet dhe plakja e organizmit.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Nature Medicine, analiza e një mostre të thjeshtë gjaku është në gjendje të vlerësojë moshën biologjike të 11 organeve dhe sistemeve kryesore të trupit, transmeton Gazeta Shneta.
Testi analizon rreth 3 mijë proteina që qarkullojnë në gjak dhe krijon një profil të veçantë për organet si truri, zemra, mushkëritë, mëlçia, veshkat, pankreasi, zorrët, muskujt, arteriet, indi dhjamor dhe sistemi imunitar. Duke krahasuar këto të dhëna me moshën kronologjike të individit, studiuesit mund të përcaktojnë nëse një organ po plaket më shpejt ose më ngadalë se normalja.
Studimi përfshiu analizimin e mostrave të gjakut nga 44.498 persona të moshës 40 deri në 70 vjeç, pjesë e projektit të madh britanik UK Biobank. Rezultatet treguan se organet që paraqesnin shenja të plakjes së përshpejtuar kishin rrezik dukshëm më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve specifike në vitet e ardhshme.
Sipas autorëve, testi mund të parashikojë me vite përpara shfaqjen e sëmundjeve si insuficienca kardiake, diabeti i tipit 2, sëmundjet kronike të mushkërive dhe madje edhe sëmundja e Alzheimerit. Studiuesit theksojnë se treguesi biologjik i trurit rezultoi një nga parashikuesit më të fortë të jetëgjatësisë dhe shëndetit në moshë të avancuar.
Megjithëse teknologjia është ende në fazë eksperimentale dhe nuk është e disponueshme për përdorim rutinë klinik, ekipi i Stanfordit beson se pas testimeve dhe validimeve të mëtejshme ajo mund të bëhet pjesë e praktikës mjekësore në vitet e ardhshme. Qëllimi është që mjekët të identifikojnë organet më të rrezikuara dhe të ndërhyjnë përpara se të shfaqen simptomat e sëmundjes. /Gazeta Shneta/


