Ministria e Shëndetësisë ka formuar një Komitet për koordinimin e situatës me koronavirusin, por në këtë trup nuk janë përfshirë edhe anesteziologë/intensivist të cilët do të mund të rekomandonin masat që duhet marr për rastet e rënda eventuale që mund të paraqiten nga Covid-19
Anesteziologia dhe intensivistja e QKUK-së Dr. Agreta Gecaj-Gashi, ka thënë se janë të injoruar plotësisht nga shteti në planifikimet që po bëhen. Në një postim në Facebook, ajo ka shpërndarë mesazhin e një kolegu të saj italian Prof. Paolo Pelosi, i cili ka alarmuar se koronavirusi mund t’i bëj 10-15 për qind të të prekurve për trajtim në mjekim intensiv, shkruan Gazeta Shneta.
Pelosi thotë se koronavirusi nuk është grip i thjeshtë, sipas tij 20-50 për qind e pacientëve kanë nevojë për hospitalizim, vdekshmëria është rreth 4 për qind, ndërsa 10-15 për qind e pacientëve duhet të trajtohen me mbështetje respiratore në mjekimin intensiv. (Më poshtë lexoni mesazhin e tij të plotë).
Edhe anesteziologu tjetër i QKUK-së Dr. Fatos Katanolli, thotë se gabimi i madh do të shpërfaqet atëherë kur situata do të mbetet në duart e anesteziologëve.
“Kur të qetësohen gjakërat e protagonizimit në facebook për kontribute të shumta në betejën me COVID-19, e fatkeqësisht hospitalizohen rastet e para të cilat fillojnë mu keqësu, flamuri i betejës ka me i mbetë në dorë VETEM Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv, kështu që mospërfshirja e tyre në koordinim mjekësor është lëshim shumë i madh. Në bazë të sqarimeve të kolegëve italian, forma e ARDS te të infektuarit me COVID-19 është me specifika pak më të ndryshme, që kërkon ventilim specifik ( protektiv plus). Kontributi i kësaj klinike është i rëndësisë kyçe në organizimin e intenzivave shtesë, rregullimin e ventilatorëve për ventilim adekuat, edhe trajnim të stafit. Ventilatori në duar të amatorëve është armë vdekjeprurëse. Për këtë arsye ndoshta edhe Shoqata e Anesteziologëve ish dashtë me mbajte kurse rifreskuese për trajtimin e Sindromës së Insuficiences Akute Respiratore”, ka shkruar Katanolli në profilin e tij.
Postimi i profesorit italian Paolo Pelosi:
1) nuk është një grip i thjeshtë;
2) 20-50% e pacientëve të infektuar kanë nevojë per hospitalizim;
3) vdekshmëria e përgjithshme rreth 4 % (jashtëzakonisht e larte, në prani ose jo te semundjeve kronike)
3) % e pacientëve të infektuar qe kane nevoje per trajtim ne Mjekim Intensiv dhe mbeshtetje respiratore eshte rreth 10-15%;
4) Nese numri i te infektuarve rritet, numri absolut i pacientëve që kanë nevojë për mjekim intensiv mund të rritet në një nivel të paqëndrueshëm për sistemin shëndetësor. Për më tepër, ky virus infekton prekë jo vetëm pacientët e moshuar me koomorbiditete por edhe pacientët më të rinj. Kohëzgjatja e rikuperimit ne Mjekim Intensiv e pacientëve që vuajnë nga pneumonia nga koronavirusi është jashtëzakonisht e gjatë; shkalla e vdekshmërisë së pacientëve ne Mjekim Intensiv te këta pacientë është afërsisht 60-65 % dhe vdekja ndodh midis fundit të javës së parë dhe të dytë të shtrimit në spital;
5) Nevojat organizative dhe njerëzore për trajtimin e këtyre pacientëve ne Mjekim Intensiv janë shumë të larta;
6) Per këtë virus, ndryshe nga gripi i zakonshëm: nuk ka sistem imunitar të lindur, nuk ka ilaçe specifike, nuk ka vaksinë;
7) mundësia e vetme është ulja e shkallës së infeksionit, me bashkëpunimin e të gjithëve; në përfundim: CoV 19 meriton respekt, shumë respekt, është një armik i fshehtë dhe i rrezikshëm, ky infeksion i ri nuk është murtaje por është një çështje serioze, shumë serioze, si per klinicistet ashtu dhe per sistemin shëndetësor, duhet ta ndërpresim atë, me çdo kosto – me ndihmën e të gjithëve!