Në Gjykatën Themelore të Tetovës sot filloi gjykimi për anesteziologun Valton Dervishi, i cili incizoi dhe publikoi drejtpërdrejt video në TikTok të pacienteve nga Gjinekologjia e Spitalit të Tetovës. Ai e pranoi veprën e kryer dhe për të njëjtën kërkoi falje. Vendimin për Dervishin gjykata do e shpallë sot në ora 11:30.
Dervishi i pyetur nëse i kupton veprat për të cilat akuzohet, tha se e kupton akuzën.
“I pranoj veprat penale dhe pendohem për atë që kam bërë”, tha Dervishi i cili sqaroi se nuk ka qenë më parë i akuzuar.
Më pas u thanë fjalët përfundimtare.
Nga ana e Prokurorisë ku deklaruan që gjyqi të merr parasysh gjendjen faktike, të shihen të gjitha rrethanat tjera dhe të merret parasysh se i akuzuari e pranoi veprën.
Avokati Dragisha Ivanovski, theksoi që të shihen të gjitha rrethanat lehtësuese që parashihen.
Ndërkaq, anesteziologu tha se pajtohet me atë që deklaroi avokati i tij dhe kërkoi falje me arsyetimin se veprën nuk e ka bërë me tendencë dhe për ndonjë përfitim. Ai tha se në paraburgim e ka të vështirë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Më pas gjykatësi Nazif Ilijazi njoftoi se vendimi do të shpallet sot në ora 11:30.
Dervishi, i punësuar si anesteziolog në Spitalin e Tetovës ka shpërndarë video të drejtpërdrejtë (live) në TikTok nga reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, ku shiheshin pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore si dhe personel mjekësor.
Më 14 mars nëpunësit policor arrestuan Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, për veprën e kryer.
Fillimisht atij iu caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh, ndërkaq më pas paraburgimi iu vazhdua edhe për 30 ditë. Anesteziologu pas këtij rasti u përjashtua nga puna. Ndërkaq Oda e Mjekëve ia mori licencën për shtatë vjet. /Portalb.mk/




