Bordi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik pas evidentimit të shkeljes në një tender të negociuar në SHSKUK, i ka dhënë Paralajmërim me shkrim shefit të prokurimit Selami Krasniqi, ndërsa Vërejtje me shkrim për zyrtarin Muhamet Behra.
Me një vendim i cili mban datën 2 mars 2023 ndërsa i publikuar gjatë kësaj jave në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, është bërë e ditur vendimi i Bordit të këtij institucioni ndaj zyrtarëve të prokurimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Selami Krasniqi dhe Muhamet Behra, shkruan Gazeta Shneta.
Krasniqi i cili është shef i Zyrës së Prokurimit të SHSKUK-së i është shqiptuar masa “Paralajmërim me shkrim”, ndërsa zyrtarit të prokurimit Muhamet Behra i është shqiptuar masa “Vërejtje me shkrim”.

Këto masa ndaj tyre janë marr për shkak të një tenderi të negociuar të cilin e kishte fituar kompania “Pharma Leader” në vlerë 2187 Euro.
Bëhet fjalë për procedurën “Furnizim Emergjent me material medicinal për Hemodializ për nevojat e SHSKUK-së” me numër të prokurimit 2022-00220-2211041-1-1-5 të realizuar në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas arsyetimit të vendimit nga Bordi i KRPP-së, Krasniqi e Behra nuk e kishin njoftuar KRPP-në për procedurën e negociuar sipas Ligjit të Prokurimit Publik. Inicimi i kësaj procedure sipas këtij vendimi, ishte bërë me kërkesë nga Barnatorja Qendrore.
Sipas vendimit, dokumenti B50 ishte ngarkuar në platformën e KRPP-së, por nuk ishte shtypur butoni “Dërgo” me anë të të cilit do të njoftohej Departamenti i Monitorimit.
“Duke u bazuar në të dhënat si më lartë Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit të AK-SHSKUK, duke mos kryer veprimin e dërgimit nëpërmjet butonit ‘Dërgo dokumentin’ në mënyrë që ‘KRPP-Departamenti i Monitorimit’ të njoftohet me e-mail dhe inbox të sistemit sipas kërkesave ligjore nuk e ka njoftuar KRPP-në lidhur me përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ashtu siç ëhtë përcaktuar me nenin 35 të LPP-së”, thuhet në vendim.
Krasniqi i kishte kthyer përgjigje Bordit për këtë çështje duke thënë se “Për këtë procedurë të prokurimit ka qenë i ngarkuar të udhëheq zyrtar i lart i prokurimit z. Muhamet Behra në kuadër të sektorit të prokurimit të SHSKUK-së, i cili ka kryer edhe procedura tjera të negociuara dhe çdo herë është njoftuar KRPP në harmoni me ligjin”.
Ndërkaq vet Behra nuk i ka kthyer fare përgjigje Bordit të KRPP-së.
Kujtojmë se në muajin janar të këtij viti ka qenë i hapur konkursi për shef të Zyrës së Prokurimit të SHSKUK-së ku Krasniqi ka qenë njëri nga kandidatët. Ky konkurs u anulua në muajin shkurt. /Gazeta Shneta/




