Anëtari i kryesisë së Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, tha se kjo kategori e punëtorëve shëndetësorë ka kërkuar që me ligjin e ri paga bazë e tyre të jetë 700 euro.
“Realisht, me koeficientin e vjetër e kemi kërkuar që të jetë 3.2, e cila e ka vlerën 249, tani e kemi 129 si vlerë. Por, në takim ne kemi kërkuar që nëse mjekëve specialistë u rriten pagat prej 100 për qind, e jona të rritet 70 për qind. Nëse p.sh. mjekëve specialistë u rritet rroga 1 mijë euro, neve të na bëhet 700 paga bazë”, tha ai për Klan Kosova.
Havolli tha se me rritjen aktuale të pagave, që pritet të bëhet për këtë kategori, nuk ndalet migrimi i punëtorëve shëndetësorë.
“Mund të ketë rritje, por është një rritje, e cila nuk e ndal migrimin. Definitivisht është demotivues dhe fundja është një shpresë e humbur. Sepse më kujtohet që në zgjedhjet e kaluara, duke qenë edhe pjesë e organizimit të sistemit të brendshëm shëndetësor, duke komunikuar përditë me ta, gjithmonë e kam parë si vullnet për ta votuar këtë qeveri nga punëtorët shëndetësorë dhe tani po del që është krejtësisht e kundërta dhe janë tejet të zhgënjyer”, ka deklaruar Havolli.