Ministria e Shëndetësisë më 6 tetor kishte njoftuar për dhënie të kontratës për furnizim me material shpenzues për hemodializë për të gjitha spitalet në Kosovë.
Vlera e kontratës ishte parashikuar mbi 6 milionë e 907 mijë euro. Kohëzgjatja e kontratës ishte 3 vite.
Kontrata ishte negociuar me vetëm një kompani “Meditech”, të cilës i ishte dhënë kontrata mbi vlerën e parashikuar, shkruan Gazeta Shneta.
“Meditech” ishte kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë për furnizimin e hemodializës për tri vite me 6 milionë e 962 mijë euro. Rreth 55 mijë euro më shumë sesa vlera e parashikuar.
Zyrtarët e prokurimit ishin arsyetuar për këtë kontratë të negociuar, në bazë të kërkesave të drejtorëve të klinikave të cilat kryenin shërbimin e hemodializës.
“Meditech” ka arritur të krijojë monopol në hemodializë për shkak të pajisjeve të saj me të cilat kryhen shërbimet dhe materialit shpenzues i cili duhet të jetë kompatibil nga i njëjti prodhues i pajisjeve.
Megjithatë, tenderi është anuluar para pak ditësh.
Në njoftimin e anulimit të dhënies së kontratës thuhet: një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Anulimi i këtij tenderi vjen pasi ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili anuloi edhe një tender tjetër për barna, në bazë të të cilit MSH do të blinte barna me çmim trefish më të larta sesa në treg. /Gazeta Shneta/