Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga ministri Uran Ismaili, ende nuk ka bërë plan konkret të punës për t’iu përgjigjur Zyrës së Auditorit Kombëtar në lidhje me gjetjet për Sistemin Informativ Shëndetësor.
Zyra e Auditorit muaj më parë ka bërë një auditim në lidhje me SISH-in. Probleme të jashtëzakonshme ka evidentuar në funksionalizimin e këtij sistemi. Janë rreth 17 milionë euro që kanë qenë të planifikuara në këtë sistem. Por me gjithë investimet, SISH-i nuk është as afër funksionalizimit, shkruan sot Koha Ditore
Aparaturat e blera për të funksionalizuar SISH-in në vitin 2013 deri në vitin 2016 nuk kanë hyrë fare në funksion dhe për pasojë ato janë amortizuar dhe kanë dalë nga përdorimi. Mosfunksionalizimi i këtij sistemi nënkupton ngecje të sigurimeve shëndetësore për shkak që ligjërisht e proceduralisht sigurimet nuk mund të nisin pa SISH funksional.
Sistemi i Informimit Shëndetësor është baza mbi të cilën funksionojnë sigurimet shëndetësore dhe nënkupton digjitalizimin e të gjitha punëve në shëndetësi në një sistem të vetëm. Vonesat në çdo hallkë në implementimin e këtij sistemi e rrezikojnë edhe implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Për rreth tre muaj prejse ZKA-ja ka publikuar raportin Ministria e Shëndetësisë nuk ia ka dërguar fare planin e punës se si planifikon që ta zgjidhë këtë çështje.