Ketamina, dikur e njohur kryesisht si drogë argëtuese, vitet e fundit është promovuar si mjet për trajtimin e depresionit dhe dhimbjeve afatgjata.
Megjithatë, një analizë e gjerë nga organizata kërkimore Cochrane nuk gjeti asnjë provë të besueshme që ketamina ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve kronike, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas burimit, Euronews Health studimi shqyrtoi 67 prova klinike me mbi 2,300 pacientë, të cilët morën pesë barna që veprojnë mbi receptorët NMDA – mes tyre ketamina, memantina dhe amantadina – të cilët mendohet se bllokojnë sinjale të caktuara të dhimbjes në tru.
Rezultatet treguan mungesë të qartë efekti pozitiv, ndërsa efektet anësore të ketaminës ishin të shumta: halucinacione, delir, paranojë, nauze dhe të vjella.
Studiuesit theksojnë se provat janë shumë të dobëta për të nxjerrë përfundime, duke lënë hapur mundësinë që ketamina të ketë ose jo ndonjë ndikim real.
Rishikimi nuk përfshiu studime mbi përdorimin e ketaminës për depresionin apo si zëvendësim të opioideve.
Ekspertët paralajmërojnë mjekët të mos e rekomandojnë atë për dhimbje kronike vetëm sepse funksionon për lehtësim afatshkurtër në urgjenca.
“Rreziku është të përsërisim të njëjtin gabim si me opioidët, të cilët u zhvilluan për dhimbje akute por u përdorën gjerësisht për dhimbje kronike, duke shkaktuar pasoja serioze,” tha profesori James McAuley nga Universiteti i New South Wales. /Gazeta Shneta/


