Ndërsa popullsia po plaket, rënia e aftësive njohëse dhe çrregullimet si demenca po bëhen ndër shkaktarët kryesorë të barrës globale të sëmundjeve.
Stili i jetesës dhe ushqimi luajnë rol kyç në ruajtjen e funksionit të trurit gjatë plakjes. Një studim i ri sugjeron se edhe marrja e bakrit nga ushqimi mund të jetë e rëndësishme për shëndetin e trurit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studimit të publikuar në “Scientific Reports”, sasia e moderuar e bakrit në dietë (rreth 1.2–1.6 mg/ditë) shoqërohet me funksion më të mirë njohës tek të moshuarit, sidomos në shpejtësinë e përpunimit të informacionit dhe funksionin ekzekutiv.
Përtej këtij niveli, nuk u vu re ndonjë përfitim shtesë, çka sugjeron një efekt të kufizuar. Kjo përputhet me rolin biologjik të bakrit në sinjalizimin nervor dhe mbrojtjen antioksiduese të neuroneve.
Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 2,400 pjesëmarrës të Anketës Kombëtare Amerikane për Shëndetin dhe Ushqyerjen (2011–2014).
Sipas Dr. Thomas Holland, bakri ndihmon metabolizmin energjetik të trurit, sintezën e neurotransmetuesve dhe mbrojtjen nga stresi oksidativ. Enzima superoksid dismutaza (SOD1), e varur nga bakri, neutralizon radikalet e lira që dëmtojnë qelizat nervore.
Në përfundim, nivelet e sakta të mikroelementeve si bakri janë thelbësore për trurin, sidomos në moshë të shtyrë. /Gazeta Shneta/


