Barnat e reja për trajtimin e obezitetit mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme në peshë, por një analizë e madhe shkencore tregon se këto përfitime nuk shoqërohen gjithmonë me përmirësim të cilësisë së jetës apo shëndetit të përgjithshëm.
Studimi i ri zbuloi se medikamentet që shkaktojnë humbjen më të madhe të peshës shpesh lidhen edhe me më shumë efekte anësore, përfshirë problemet gastrointestinale, lodhjen, ndërprerjen e trajtimit dhe humbjen e masës muskulore, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Obeziteti konsiderohet një nga sfidat më të mëdha globale të shëndetit publik, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka cilësuar atë një epidemi globale. Për menaxhimin e saj, përdorimi i barnave për humbje peshe është rritur ndjeshëm, veçanërisht i agonistëve GLP-1 si semaglutidi dhe tirzepatidi.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “The BMJ”, analizoi 262 prova klinike me rreth 100 mijë pjesëmarrës për të krahasuar përfitimet dhe rreziqet e 19 barnave kundër obezitetit.
Rezultatet treguan se humbjet më të mëdha të peshës pas një viti trajtimi, krahasuar me ndryshimet vetëm në stilin e jetës, u panë te:
– tirzepatidi, me rreth 14.9% ulje të peshës trupore;
– CagriSema, me 14.8%;
– semaglutidi oral, me 10.9%;
– orforgliprioni, me 9.9%;
– semaglutidi injektues, me 9.8%.
Megjithatë, studiuesit vunë re një model të qëndrueshëm: sa më e madhe të ishte humbja e peshës, aq më i lartë ishte rreziku për efekte anësore.
Një shqetësim i veçantë ishte humbja e masës së dobët trupore, e cila përfshin muskujt. Për shembull, tirzepatidi shkaktoi uljen më të madhe të masës dhjamore, por u shoqërua edhe me humbjen më të madhe të masës muskulore.
“Barnat kundër obezitetit nuk duhet të vlerësohen vetëm nga kilogramët e humbur”, tha autori i studimit, Sheyu Li, profesor klinik dhe endokrinolog në Universitetin Sichuan në Kinë.
Sipas tij, vendimi për përdorimin e këtyre barnave duhet të bazohet në një vlerësim individual të përfitimeve dhe rreziqeve, duke përfshirë ndikimin në zemër, humbjen e yndyrës dhe muskujve, efektet anësore, koston dhe preferencat e pacientit.
Studimi nuk gjeti prova të forta se shumica e barnave për obezitet përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës ose zvogëlojnë rrezikun për dështim të veshkave. /Gazeta Shneta/


