Gjatë viteve të fundit, kërkimet shkencore kanë treguar një lidhje të mundshme mes shëndetit të zemrës dhe atij të trurit. Studimet e mëparshme kanë lidhur sëmundje kardiovaskulare si insuficienca e zemrës, sëmundja koronare e zemrës dhe fibrilacioni atrial me dëmtime të funksioneve njohëse dhe rritje të rrezikut për demencë.
Një studim i ri sugjeron se edhe çrregullimet e lehta të funksionit të zemrës, madje te personat që nuk kanë ende diagnozë të insuficiencës kardiake, mund të lidhen me dëmtime mikroskopike të indeve në zona të trurit që preken shpesh nga sëmundja e Alzheimerit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
“Truri varet shumë nga qarkullimi i qëndrueshëm i gjakut dhe furnizimi me oksigjen. Nëse zemra nuk pompon në mënyrë efikase, edhe ndryshimet e vogla mund të ndikojnë në tru me kalimin e kohës”, tha Xia Zhang, autore kryesore e studimit nga ‘Instituti Max Planck për Shkencat Njohëse dhe të Trurit’, në Gjermani.
Në studim u ndoqën për rreth 3.5 vite 73 pjesëmarrës me moshë mesatare rreth 55 vjeç. Studiuesit analizuan nëse tregues si fraksioni i ejeksionit dhe biomarkeret mund të parashikonin ndryshime të mëvonshme në strukturën e trurit dhe ndikimin në kujtesë.
Rezultatet treguan se uljet e vogla të funksionit pompues të zemrës shoqëroheshin me ndryshime mikroskopike në materien gri të trurit, veçanërisht në zona të rëndësishme për kujtesën.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk dëshmojnë se personat do të zhvillojnë Alzheimer, pasi nuk u matën biomarkerët specifikë të sëmundjes, si beta-amiloidi dhe proteina tau.
Sipas autorëve, nevojiten studime më të mëdha për të kuptuar nëse përmirësimi i shëndetit kardiak mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimeve të trurit dhe rënies së kujtesës. /Gazeta Shneta/


