Një studim i ri sugjeron se barnat e përdorura gjerësisht për trajtimin e çrregullimit të deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD), si Ritalin dhe Adderall, mund të funksionojnë ndryshe nga sa është besuar deri më tani. Gjetjet mund të ndikojnë në mënyrën se si profesionistët shëndetësorë e kuptojnë dhe e menaxhojnë këtë çrregullim.
Studimi i publikuar në revistën shkencore “Cell”, u krye nga studiues të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në St. Louis. Sipas tyre, këto barna stimuluese nuk veprojnë kryesisht mbi qendrat e vëmendjes në tru, siç është menduar më herët, por ndërveprojnë më shumë me zonat që lidhen me zgjimin, motivimin dhe shpërblimin, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një gjetje veçanërisht interesante është se këto medikamente krijojnë modele aktiviteti trunor të ngjashme me gjumin cilësor. Kjo është e rëndësishme, pasi shumë persona me ADHD kanë vështirësi në arritjen e gjumit të mirë dhe të qëndrueshëm.
Studiuesit theksojnë se përmirësimi i vëmendjes nuk ndodh sepse barnat rrisin drejtpërdrejt fokusin, por sepse i bëjnë individët më vigjilentë, më të interesuar dhe më të angazhuar në detyra.
Këto përfundime bien ndesh me teoritë e mëparshme. Sipas Dr. Benjamin Kay, bashkautor i studimit, përmirësimi i vëmendjes është një efekt dytësor i rritjes së zgjimit dhe ndjenjës së shpërblimit gjatë kryerjes së detyrave.
Edhe ekspertë të tjerë, si Dr. Grace Cheney nga Universiteti Stanford, theksojnë se studimi ndihmon në sqarimin e mënyrës reale se si barnat stimuluese ndihmojnë personat me ADHD, duke korrigjuar keqkuptimin se ato thjesht “rrisin vëmendjen” në mënyrë direkte. /Gazeta Shneta/


