Sëmundjet kardiovaskulare (SKV), si infarktet dhe goditjet në tru, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2022 ato përbënin 32% të të gjitha vdekjeve dhe 38% të vdekjeve të parakohshme globalisht. Një nga faktorët kryesorë të rrezikut për këto sëmundje është niveli i lartë i kolesterolit në gjak.
Kolesteroli LDL, i njohur si “kolesteroli i keq”, rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës, ndërsa kolesteroli HDL, ose “i miri”, ndihmon në uljen e këtij rreziku. Këta tregues mund të përmirësohen përmes një diete të shëndetshme, aktivitetit fizik, shmangies së duhanit dhe, kur është e nevojshme, përdorimit të barnave si statinat, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, ekziston një lloj tjetër lipoproteine – lipoproteina(a), ose Lp(a) – e cila ndikohet kryesisht nga faktorët gjenetikë dhe nuk ulet ndjeshëm me stil jetese.
Një studim i ri, i udhëhequr nga studiues në “Brigham and Women’s Hospital” në Boston dhe i publikuar në “JAMA Cardiology”, ka treguar se nivelet e larta të Lp(a) rrisin ndjeshëm rrezikun 30-vjeçar për sëmundje kardiovaskulare, edhe tek gratë që përndryshe konsiderohen të shëndetshme. Ky zbulim thekson rëndësinë e kësaj lipoproteine si parashikues afatgjatë i rrezikut kardiovaskular.
Autorët e studimit sugjerojnë që mjekët të marrin në konsideratë kontrollin rutinë të Lp(a), në mënyrë që të identifikohen herët individët me rrezik të lartë.
Sipas autorit kryesor, Dr. Ask T. Nordestgaard, këto gjetje tregojnë qartë se matja e Lp(a) është thelbësore për nisjen e masave parandaluese tek personat me nivele shumë të larta, edhe para shfaqjes së simptomave. /Gazeta Shneta/


