Bashkimi Evropian regjistroi një numër rekord produktesh të rrezikshme të ndaluara në vitin 2025, sipas raportit më të fundit për sigurinë e konsumatorëve. Kozmetika, lodrat dhe pajisjet elektrike kryesojnë listën e produkteve që u identifikuan si potencialisht të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë.
Sipas raportit, në sistemin evropian të paralajmërimit të shpejtë për produkte të rrezikshme, të njohur si “Safety Gate”, u regjistruan 4,671 njoftime gjatë vitit 2025.
Ky është numri më i lartë që nga krijimi i sistemit në vitin 2003, me një rritje prej 14 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe më shumë se dyfishim krahasuar me vitin 2022, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Rreziku më i zakonshëm lidhej me praninë e kimikateve të rrezikshme, që përbënin 53 për qind të rasteve. Pas tyre vinin rreziqet për lëndime fizike me 14 për qind dhe rreziku i mbytjes me 9 për qind.
Shumë nga paralajmërimet për kozmetikë lidhen me një aromë sintetike të ndaluar në BE që nga viti 2022, e cila mund të dëmtojë sistemin riprodhues dhe të shkaktojë irritim të lëkurës.
Raporti thekson gjithashtu se për herë të parë u identifikuan produkte si manikyri i thonjve që përmbanin një kimikat të ndaluar për shkak të rreziqeve për shëndetin, veçanërisht për gratë shtatzëna dhe për shkak të reaksioneve alergjike.
Sa i përket vendeve që raportuan më shumë produkte të rrezikshme, Italia kryeson listën me 1,193 njoftime, e ndjekur nga Gjermania me 465 dhe Franca me 455.
Pothuajse tre të katërtat e produkteve të identifikuara si të rrezikshme vinin nga jashtë Bashkimit Evropian, ndërsa Kina ishte burimi kryesor.
Ekspertët paralajmërojnë se këto shifra mund të jenë vetëm një pjesë e problemit, pasi autoritetet nuk janë në gjendje të kontrollojnë të gjitha produktet që hyjnë në tregun evropian, sidomos me rritjen e tregtisë online. /Gazeta Shneta/



