Bordi Drejtues i SHSKUK-së i ka çuar në Prokurori tre raporte të auditorit të brendshëm, rekrutimet dhe emërimet, kujdestaritë dhe ndërrimet e natës në Kardiokirurgji, si dhe menaxhimin e automjeteve zyrtare. Këto raporte janë dërguar në tetor të vitit të kaluar nga Bordi, por nga Prokuroria ende nuk është ndërmarr ndonjë veprim në lidhje me rastin.
Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ka çuar në Prokurori Themelore disa prej parregullësive të gjetura nga Auditori i Brendshëm vitin e kaluar, shkruan Gazeta Shneta.
Në një përgjigje për Gazetën, Bordi ka deklaruar se ka Informuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë lidhur me parregullsitë në QKUK/SHSKUK të gjetura në këto raporte të auditimit të brendshëm:
Raportin e Auditimit të Brendshëm, me titull “Rekrutimi, Emërimet e stafit në pozitat menaxhuese dhe pozitat tjera në administratë”, me nr. prot.1642, të datës 06.08.2020.
Raportin “Kujdestaritë dhe ndërrimet e natës në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive”, me nr. prot. 2256, të datës 27.10.2020.
Raportin “Menaxhimi i automjeteve zyrtare në SHSKUK”, me nr. Prot. 1178, dt, 10.06.2020.
Gazeta ka kërkuar poashtu sqarime nga menaxhmenti i SHSKUK-së nëse janë shfuqizuar të gjitha pozitat të cilat janë rekrutuar ose emëruar jashtëligjshëm në bazë të këtij raporti, por nuk kemi marr përgjigje në këtë pyetje.
Kujtojmë se për shkak të të gjeturave në këto raporte ishte shkarkuar ish-drejtori Basri Sejdiu vitin e kaluar. Ndërkohë vendimin për shkarkimin e Sejdiut e kishte rrëzuar Inspektorati i Punës, por deri më tani lënda gjendet në Gjykatë dhe ende nuk ka përfunduar.
Poashtu për shkak të parregullësive me pagesa për kujdestari, ndërrime dhe gatishmëri, ishte shkarkuar edhe ish-drejtori i Kardiokirurgjisë Tefik Bekteshi. Ai tanimë është suspenduar nga puna me vendim të Komisionit Disiplinor, pasi nuk ishte paraqitur në punë për tre muaj me radhë. /Gazeta Shneta/