Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka ndryshuar përbërjen e komisionit vlerësues të konkursit për drejtor të përgjithshëm.
Gazeta Shneta ka siguruar vendimin i cili mban datën 11 janar, ku është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i datës 27 nëntor 2020.
“Anëtari i Komisionit përzgjedhës Dr. Diellor Rizaj, zëvendësohet me Dr. Agreta Gecaj-Gashi. – Anëtari i Komisionit përzgjedhës Haki Smajli, zëvendësohet me Ardian Mehmetaj – dhe anëtari i Komisionit përzgjedhës Dr. Vjollca Kodolli-Halili, zëvendësohet me Dr. Naim Hoxha”, thuhet në këtë vendim.
Zëvendësimi i Rizajt me Gecajn-Gashi, në vendim është arsyetuar për të siguruar transparencën e procesit dhe shmangies së konfliktit të interesit.
Ndërsa zëvendësimi i Smajlit me Mehmetajn, është arsyetuar për të siguruar përfaqësim sa më reprezentativ të profesionistit në fushën e përzgjedhjes së burimeve njerëzore.
Ndërkaq anëtarja e fundit Dr. Vjollca Kodolli ka dhënë dorëheqje nga komisioni dhe si rezultat është zëvendësuar me radiologun Naim Hoxha.
Në këtë konkurs deri më tani kanë kandiduar Saudin Maliqi, i cili mban pozitën e drejtorit të klinikës së Kirurgjisë Torakale si dhe i angazhuar si këshilltar i ministrit Armend Zemaj.
Dr. Valbon Krasniqi, i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së. Driton Ukmata, ish-këshilltar i ish-drejtorit të SHSKUK-së Basri Sejdiu. Dr. Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.
Kandidatë të tjerë janë edhe Gloria Staka dhe Gani Halilaj. /Gazeta Shneta/