Cilësia e spermës mund të jetë një tregues i shëndetit të përgjithshëm të burrave, sipas ekspertëve që folën për Euronews Health.
Një studim i ri tregon se burrat me cilësi më të mirë të spermës mund të kenë një jetëgjatësi më të madhe.
Studiuesit analizuan të dhënat e afro 80,000 burrave danezë me një ndjekje deri në 50 vjet.
Të gjithë burrat kishin kryer analiza laboratorike të cilësisë së spermës për shkak të infertilitetit në çift, transmeton Gazeta Shneta.
Analiza vlerësoi tre faktorë kryesorë:
– Vëllimin e spermës.
– Përqendrimin e spermatozoidëve.
– Përqindjen e spermatozoidëve të lëvizshëm (ata që lëvizin në mënyrë efikase dhe kanë formë normale).
Sipas rezultateve, burrat me një numër më të lartë të spermatozoidëve të lëvizshëm kishin një jetëgjatësi dy deri në tre vjet më të gjatë sesa ata me numrin më të ulët të spermatozoidëve të lëvizshëm.
“Në terma absolutë, burrat me një numër total të spermatozoidëve të lëvizshëm mbi 120 milionë jetuan 2.7 vjet më gjatë sesa ata me një numër midis zero dhe pesë milionë,” tha Dr. Lærke Priskorn, studiues i lartë në Spitalin Universitar të Kopenhagës dhe autori kryesor i studimit.
Sa më e ulët të ishte cilësia e spermës, aq më e shkurtër ishte jetëgjatësia, sipas hulumtimit të botuar në revistën “Human Reproduction”.
Kjo lidhje nuk mund të shpjegohej as nga sëmundjet në 10 vitet para testimit të cilësisë së spermës, as nga niveli arsimor i burrave. /Gazeta Shneta/


