Një ekip studiuesish në Portugali ka raportuar rastet e para të infeksionit nga superbakteri “Candida auris” në vend.
Kjo kërpudhë invazive mund të depërtojë në gjak dhe në organe jetësore, si zemra dhe truri, dhe mund të shkaktojë infeksione të rrezikshme për pacientët me sistem imunitar të dobësuar.
Shtatë raste janë identifikuar në vitin 2023 në një spital në rajonin verior të Portugalisë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Tre pacientë humbën jetën, por vdekjet nuk lidhen ekskluzivisht me infeksionin, pasi të gjithë kishin sëmundje të rënda shoqëruese.
Sipas studiuesve, “Candida auris” përhapet kryesisht brenda spitaleve dhe njësive shëndetësore dhe nuk transmetohet në komunitet. Kërpudha është rezistente ndaj disa barnave antifungale, gjë që kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet shëndetësore.
Sofia Costa de Oliveira, ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Porto-s dhe koordinatore e studimit, tha se është e rëndësishme që institucionet arsimore dhe kërkimore të bashkëpunojnë me spitalet për të përforcuar kapacitetin për t’u përballur me sfidat e shëndetit publik. Rezultatet e studimit u botuan në Journal of Fungi në tetor 2025.
“Candida auris” u identifikua për herë të parë në Japoni në vitin 2009 dhe tani është e pranishme në rreth 60 vende. Infeksioni prek kryesisht pacientët e shtruar në spitale ose ata që jetojnë në shtëpi të kujdesit dhe lidhet me shkallë të lartë vdekshmërie.
Kërpudha mund të kolonizojë lëkurën dhe të përhapet në të gjithë trupin, duke bërë që të jetë rezistente ndaj shumë barnave antifungale dhe të qëndrojë në sipërfaqe dhe pajisje mjekësore.
Diagnostikimi i saj kërkon metoda specifike dhe teste ndjeshmërie ndaj barnave antifungale, pasi metodat standarde laboratorike mund të mos e identifikojnë.
Për të parandaluar përhapjen, rekomandohet pastrimi i kujdesshëm i duarve dhe dezinfektimi i sipërfaqeve dhe pajisjeve në spitale.
Në Europë, rastet më të shumta janë raportuar në Spanjë, Greqi, Itali, Rumani dhe Gjermani. Midis viteve 2013 dhe 2023, qendra europiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC) regjistroi mbi 4,000 raste infeksioni me “Candida auris”, ndërsa vetëm në vitin 2023 janë raportuar më shumë se 1,300 raste në 18 vende./Gazeta Shneta/


