Tiku apo dridhja e syrit quhet ndryshe në gjuhën mjekësore blefarospazma. Qepalla e sipërme e njërit sy apo e të dyjave lëviz në mënyrë të pavullnetshme dhe nuk keni asnjë mënyrë për ta ndalur.
Mjekët mendojnë se mund të lidhet me: Lodhjen; Stresin; Kafeinën
Dridhjet e qepallave zakonisht janë të padëmshme, pa dhimbje dhe zakonisht ndalohen vetë. Por, nëse spazmat janë aq të forta, mund të shkaktojnë mbyllje të plotë të qepallave.
Por nëse nuk ndalon?
Disa njerëz kanë spazma të syve gjatë gjithë ditës. Mund të zgjasin (me shkëputje) për disa ditë, javë apo edhe muaj.
Ndodh rrallë, megjithatë, nëse tiku i syrit nuk ndalon vetvetiu, mund ta vështirësojë shikimin. Ndonjëherë tiku mund të jetë shenjë e një sëmundje më të rëndë, si: Blefariti (qepalla të inflamuara); Tharje të syrit; Ndjeshmëri ndaj dritës; Skuqje të syve;
Shumë rrallë, mund të jetë shenjë edhe e një çrregullimi nervor, si: Distonia; Sëmundja e Parkinsonit; Sindromi Tourette
Mund të jetë edhe efekt anësor i disa ilaçeve, si ato që përdoren për trajtimin e psikozës dhe epilepsisë.
Janë 3 lloje të zakonshme të tikut të syrit:
Tik i lehtë i syrit, që lidhet shpesh me faktorët e mënyrës së jetesës, si: Lodhja; Stresi; Mungesa e gjumit; Përdorimi i alkoolit, duhanit ose kafeinës
Mund të vijë edhe si rezultat i irritimit të sipërfaqes së syrit (kornea) ose membranat që rrethojnë qepallat (konjunktiva).
Blefarospazma beninje, zakonisht shfaqet në moshë të mesme dhe fillon të përkeqësohet gradualisht. Rreth 2000 njerëz diagnostikohen me këtë sëmundje çdo vit vetëm në SHBA. Gratë janë dyfish më të rrezikuara se meshkujt.
Nuk është ndonjë gjendje serioze, megjithatë rastet e shpeshta mund të ndikojnë në përditshmërinë tuaj.
Shkaqet: Lodhja; Stresi; Drita, era ose ndotja e ajrit
Nis me një dridhje nonstop ose irritim të syve. Me përkeqësimin e gjendjes, mund të jeni më të ndjeshëm ndaj dritës, keni shikim të turbullt dhe spazma faciale. Në raste më serioze, spazmat fillojnë të bëhen më intensive dhe qepallat mund të mbyllen për disa orë.
Shkencëtarët mendojnë se mund të vijë si rezultat i faktorëve mjedisorë dhe gjenetikë. Edhe pse kjo gjendje është zakonisht e rrallë, ndonjëherë trashëgohet edhe në familje.
Spazma gjysmëfaciale është e rrallë. Ndryshe nga dy llojet e tjera, mund të prekë vetëm njërën anë të fytyrës. Zakonisht shkaku është shtypja arteriale në nervin facial.