Vaji i palmës prodhohet nga fruti i pemës së palmës, e cila rritet në plantacione masive në vende tropikale. Në temperaturë dhome, vaji i palmës ngjason me formën e gjalpit të butë dhe përdoret gjerësisht për të zëvendësuar vetë gjalpin në një mori produktesh brumi të pjekura, qofshin këto të ëmbla apo të kripura.
Sasia e madhe e yndyrnave të ngopura dhe numri i stërmadh i kalorive e bën vajin e palmës një zgjedhje fort të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Fatkeqësisht është një nga vajrat më të lira që ekzistojnë dhe për të mbajtur çmimet të ulëta, një numër mjaft i madh prodhuesish në botë, por edhe në Shqipëri, e përdorin masivisht në të gjitha produktet e ëmbëlsirave dhe më gjerë.
Hidhini një sy pakos me biskota në tryezën tënde, akullores që fëmijët e shijojnë kaq shumë, çokollatës tuaj të preferuar, patatinave – të gjitha këto përmbajnë vaj palme.
Në fakt, pothuajse të gjitha kompanitë e njohura botërisht si për shembull Nestle, Cadbury, Haribo, Kellogs, Mars, Procter & Gamble, Unilever dhe shumë e shumë të tjera e përdorin vajin e palmës në një mënyrë apo në një tjetër në produktet e tyre, duke përfshirë këtu edhe të tillë jo-ushqimorë si buzëkuqë, shampo dhe detergjentë.
Ky përbërës është i njohur për koston e tij relativisht të ulët, përdorimin e përshtatshëm në një sërë industrish dhe qëndrueshmërinë e tij në kohë, duke i zgjatur kështu jetën produkteve të ndryshme ushqimore.
Vaji i palmës është prezent si përbërës në gjysmën e të gjitha produkteve të ambalazhuara që shiten në supermarkete në të gjithë botën dhe është vaji bimor më i konsumuar në planet, ose 65% e të gjithë sasisë së vajrave bimore të tregtuara tradicionalisht.
Në Shqipëri është edhe më i përhapur, madje vajin e palmës e gjeni gati në të gjitha ëmbëlsirat e gatshme, biskotat, patatinat e kripura, etj. Interesohuni për shëndetin tuaj dhe pyesni edhe tek furra e bukës nëse e përdorin vajin e palmës.
Pyesni edhe tek dyqani ku bleni tortën apo ëmbëlsirat që konsumoni. Dhe mbi të gjitha lexoni mirë çdo etiketë nëse ka në përmbajtje vaj palme. Prodhuesit më të mëdhenj evropianë kanë nisur të deklarojnë se produktet e tyre nuk përmbajnë vaj palme. Mundohuni t’i kontrolloni edhe ju vetë produktet që konsumoni. /Gazeta Shneta/