Thithja e gishtit ka disa avantazhe ndaj thithjes së cucllës, por të dyja janë disi “zakone” problematike për tu harruar. Thithja në fakt është një refleks natyral që bebet e kryejnë për tu vetëqetësuar.
Bebi juaj mund të ketë filluar të thithë gishtin edhe përpara se të lindte, madje ka pasur imazhe që tregojnë bebet duke thithur gishtin gjatë kohës që janë në barkun e nënës.
Avantazhi kryesor i thithjes së gishtit është se gishti ndodhet gjithmonë aty, nuk rrëzohet në dysheme, nuk keni nevojë ta lidhni me fije në rrobat e bebit, dhe më e mira nga të gjitha është se bebi e ka gishtin nën kontroll.
Fëmija juaj mund të heqë dorë nga thithja e gishtit në moshën 3-4 vjeçare. Në këtë moshë, fëmija do të ketë mësuar mënyra të tjera për të qetësuar veten, gjithsesi fëmijët mund të vazhdojnë të thithin gishtin gjatë natës apo gjatë momenteve stresuese edhe pas kësaj moshe.
Nga ana tjetër nëse bebi juaj qan shumë dhe do të thithë diçka, cuclla mund të jetë një zgjidhje e lehtë dhe efikase. Gjithsesi, nëse ju e ushqeni fëmijën me gji, është mirë të prisni të paktën deri sa bebi të jetë një muajsh përpara se t’i jepni cucllën.
Disa ekspertë besojnë se përdorimi i cucllës mund të konfuzojë bebet, duke i bërë ata të ngatërrojnë gjirin me çuçon. Ekspertë të tjerë mendojnë se përdorimi i cucllës do të reduktojë kohën që bebi kalon në gji dhe kjo mund të jetë diçka e keqe pasi nëse gjiri juaj nuk stimulohet siç duhet, sasia e qumështit të prodhuar do të zvogëlohet.
Nëse ju vendosni të përdorni cucllën, përpiquni t’ja hiqni atë bebit përpara se të mbushë një vjeç, në mënyrë që ai mos të ketë probleme me dhëmbët. /pernenat