Për gratë që mendojnë të përdorin estrogjen për të menaxhuar simptomat e menopauzës – si afshet e nxehta, pagjumësia dhe shqetësimet hormonale – një studim i ri sugjeron se mund të jetë më mirë të mos presin.
Studimet e reja tregojnë se gratë në periudhën perimenopauzale që kishin përdorur estrogjen për të paktën 10 vjet para ndërprerjes përfundimtare të menstruacioneve kishin 60% më pak gjasa të zhvillonin kancer gjiri, atak në zemër ose goditje në tru, krahasuar me ato që nuk kishin përdorur kurrë hormone, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi u paraqit në takimin vjetor të “The Menopause Society”, në Orlando, Florida.
Autorja kryesore, Dr. Ify Chidi nga Universiteti Case Western Reserve, theksoi se përdorimi i të dhënave të mëdha shëndetësore mund të ndihmojë për të zgjidhur debatin mbi kohën e duhur për fillimin e terapisë hormonale.
Gjatë perimenopauzës – faza e tranzicionit drejt menopauzës – shumë gra përjetojnë simptoma të bezdisshme që mund të zgjasin për vite. Edhe pse terapia me estrogjen dikur ishte e diskutueshme, sot ajo njihet si e sigurt dhe efektive kur përdoret në mënyrë të kontrolluar.
Në analizën e mbi 120 milion regjistrave shëndetësorë, studiuesit zbuluan se gratë që filluan estrogjenin gjatë perimenopauzës kishin përfitime më të mëdha në krahasim me ato që nisën trajtimin pas menopauzës. Megjithatë, grupi që filloi më vonë kishte një rrezik pak më të lartë për goditje në tru (4.9%).
Ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime klinike të mëtejshme për të konfirmuar këto rezultate dhe për të përcaktuar përfitimet afatgjata të terapisë hormonale të filluar herët. /Gazeta Shneta/


