Një grup shkencëtarësh ka hetuar së fundmi lidhjen midis cilësisë së dietës ushqyese dhe plakjes biologjike, duke përdorur të ashtuquajturat “ora epigjenetike” për të matur ndryshimet që ndodhin në ADN. Kjo qasje moderne po përdoret gjithnjë e më shumë për të kuptuar se si stili i jetesës ndikon në proceset e plakjes.
Sipas raportimit të Medical News Today, ora epigjenetike shërben si biomarker që mat ndryshimet në metilimin e ADN-së, duke vlerësuar moshën biologjike të një individi dhe duke e krahasuar atë me moshën kronologjike.
Kur mosha biologjike rezulton më e lartë se ajo reale, kjo mund të tregojë plakje të përshpejtuar dhe rrezik më të lartë për probleme shëndetësore, transmeton Gazeta Shneta.
Ora epigjenetike përdoret gjerësisht në kërkime shkencore për të analizuar ndikimin e stilit të jetesës, faktorëve mjedisorë dhe ushqimit në shëndet. Një nga modelet më të njohura është ajo e zhvilluar nga shkencëtari Steve Horvath, e cila analizon rajone të caktuara të ADN-së për të përcaktuar të ashtuquajturën “moshë epigjenetike”.
Studimi, i publikuar në revistën “Journal of Clinical Nutrition”, përfshiu 826 pjesëmarrës të moshave të ndryshme. Rezultatet treguan se individët që konsumonin dieta të varfra ushqyese – të pasura me ushqime të përpunuara, mish të kuq dhe pije të gazuara, por me pak fruta dhe perime – shfaqnin shenja të plakjes biologjike më të shpejtë, edhe në moshë të re.
Në të kundërt, ata që ndiqnin një dietë të balancuar, të pasur me fruta, perime dhe ushqime të freskëta, kishin tregues të plakjes më të ngadaltë. Studiuesit theksojnë se këto gjetje nënvizojnë rëndësinë e një ushqyerjeje të shëndetshme për ruajtjen e vitalitetit dhe ngadalësimin e proceseve biologjike të plakjes. /Gazeta Shneta/


